1 Timoteut

Kapitulli: 1 2 3 4 5 6

Kapitulli 1

1 Pali, apostull i Krishtit Jezus sipas porosisë së Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe Krishtit Jezus, shpresës sonë,

2 Timoteut, birit të vërtetë në besim: Hir, mëshirë, paqe nga Perëndia Atë dhe Krishti Jezus Zoti ynë.

3 Siç të kam këshilluar, kur u largova për në Maqedoni, duhet të qëndrosh në Efes, që t’u japësh udhëzime disave që të mos u mësojnë më njerëzve doktrina të tjera,

4 as të mos u vënë veshin miteve dhe gjenealogjive të pafund, që vlejnë më shumë për të përçarë sesa për të çuar më tej punën e Perëndisë që është prej besimit.

5 Por qëllimi i udhëzimit tonë është dashuri që vjen nga një zemër e pastër, ndërgjegje e mirë dhe besim i çiltër.

6 Prej këtyre janë larguar disa dhe i janë kthyer diskutimeve të kota.

7 Këta duan të bëhen mësues të Ligjit, edhe pse nuk i kuptojnë as ato që thonë, as ato që i pohojnë me bindje.

8 E dimë se Ligji është i mirë, po të përdoret siç duhet.

9 Ne e kuptojmë se ligji nuk është vënë për të drejtin, por për ata që thyejnë ligjet dhe ngrenë krye, për të pafetë dhe mëkatarët, për ata që nuk nderojnë Perëndinë dhe gjërat e shenjta, për ata që vrasin atin dhe nënën e tyre, për vrasësit,

10 të përdalët, homoseksualët, ata që rrëmbejnë njerëz, gënjeshtarët, ata që shkelin betimin dhe për çdo gjë tjetër që është në kundërshtim me mësimet e shëndosha,

11 sipas ungjillit të lavdishëm të Perëndisë së bekuar, që më është besuar mua.

12 Falënderoj Krishtin Jezus Zotin tonë, që më ka bërë të fortë, sepse Ai më gjykoi besnik, duke më vënë në shërbim të Vet,

13 edhe pse më parë isha blasfemues, përndjekës dhe njeri i dhunës. Por ndaj meje u tregua mëshirë, sepse i bëja nga padija, duke qenë larg besimit.

14 Hiri i Zotit tonë erdhi me begati, së bashku me besimin dhe dashurinë që janë në Krishtin Jezus.

15 Ja një thënie për t’u besuar dhe që ia vlen të pranohet: Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, nga të cilët unë jam më i keqi.

16 Por pikërisht për këtë arsye u tregua mëshirë ndaj meje, që Krishti Jezus të shfaqte më parë tek unë durimin e Vet të pafund, për të qenë shembull për ata që do të besonin tek Ai dhe që do të fitonin jetën e amshuar.

17 Mbretit të përjetshëm, të pavdekshëm, të padukshëm, të vetmit Perëndi, i qoftë nderimi dhe lavdia për jetë të jetëve. Amen.

18 Këtë porosi po të jap ty, o biri im Timote, sipas profecive që janë bërë më parë për ty, që duke i ndjekur ato të luftosh luftën e mirë,

19 duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë, të cilat disa i hodhën poshtë dhe kështu besimi i tyre e pësoi si anija e mbytur.

20 Midis tyre janë Himeneu dhe Aleksandri, të cilët ia kam dorëzuar Satanit, që të mësojnë të mos blasfemojnë.



Kapitulli 2

1 Po bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërmjetësime dhe falënderime për të gjithë njerëzit,

2 për mbretërit dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që të bëjmë jetë në paqe dhe të qetë plot me përshpirtshmëri dhe dinjitet.

3 Kjo është punë e mirë dhe e pëlqyeshme për Perëndinë Shpëtimtarin tonë,

4 i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të arrijnë të njohin të vërtetën.

5 Sepse ka një Perëndi të vetëm dhe një ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve, njeriu Krishti Jezus,

6 i cili e dha Veten e Vet si shpërblesë për të gjithë njerëzit, që për këtë të jepet dëshmi në kohën e duhur.

7 Për këtë unë u vura predikues dhe apostull (të vërtetën po them, nuk po gënjej) dhe mësues i kombeve në besim e në vërtetësi.

8 Prandaj dua që njerëzit në çdo vend të luten, duke ngritur lart duart e shenjta, pa zemëratë dhe pa grindje.

9 Po ashtu, dua që edhe gratë ta stolisin veten hijshëm, me cipë dhe urtësi, jo me gërsheta e ar, as me margaritarë e me petka të shtrenjta,

10 por me vepra të mira, siç u ka hije grave që pranojnë hapur se i shërbejnë Perëndisë.

11 Le të mësojë gruaja në heshtje dhe në nënshtrim të plotë.

12 Por nuk lejoj që gruaja të japë mësim, as të përdorë pushtet mbi burrin, por të qëndrojë në heshtje.

13 Sepse Adami u krijua i pari, pastaj Eva.

14 Nuk ishte Adami ai që u mashtrua, por gruaja u mashtrua dhe ra në mëkat.

15 Por ato do të shpëtojnë nëpërmjet lindjes së fëmijëve nëse tregohen të matura duke qëndruar në besim, dashuri dhe shenjtërim.



Kapitulli 3

1 Ja një thënie që ia vlen të besohet: nëse dikujt ia ka ënda të bëhet mbikqyrës, ai dëshiron një punë fisnike.

2 Por mbikqyrësi, duhet të jetë i paqortueshëm, burrë vetëm i një gruaje, i përmbajtur, i arsyeshëm, i respektueshëm, mikpritës, i aftë të mësojë njerëzit,

3 jo i dhënë pas verës, jo njeri i dhunës, por i butë, jo grindavec, jo lakmues i parasë.

4 Ai duhet ta qeverisë mirë shtëpinë e vet, dhe të kujdeset që fëmijët e tij t’i binden me respektin e duhur.

5 (Por nëse dikush nuk di si të qeverisë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?)

6 Ai nuk duhet të jetë besimtar i sapokthyer, se mos i rritet mendja dhe bie në dënimin e djallit.

7 Duhet të ketë emër të mirë ndër ata që janë jashtë, që të mos bëhet për t’u qortuar dhe të bjerë në lakun e djallit.

8 Po ashtu dhjakët duhet të jenë njerëz me dinjitet, jo me dy fytyra, të mos jenë të dhënë së tepërmi pas verës, të mos lakmojnë për fitime të pandershme,

9 por të ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër.

10 Këta duhet të vihen më parë në provë dhe pastaj, po të shihen se janë të paqortueshëm, le të shërbejnë si dhjakë.

11 Gratë po ashtu duhet të jenë me dinjitet, jo shpifarake, por të përmbajtura e besnike në gjithçka.

12 Dhjakët duhet të jenë të martuar vetëm me një grua dhe kujdestarë të mirë të fëmijëve dhe të shtëpive të veta.

13 Sepse ata që shërbejnë mirë si dhjakë, fitojnë një pozitë të nderuar për veten e tyre dhe siguri të madhe në besimin që është në Krishtin Jezus.

14 Megjithëse shpresoj të vij së shpejti tek ti, po t’i shkruaj këto,

15 që po të vonohem, ta dish si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themelli i së vërtetës.

16 Siç e pohojnë të gjithë, i madh është misteri i përshpirtshmërisë: Ai që u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u pa nga engjëjt, u predikua ndër kombet, u besua në botë, u mor lart në lavdi.



Kapitulli 4

1 Por Fryma e thotë qartë se në kohët e fundit disa do të largohen nga besimi, duke iu kushtuar frymëve mashtruese dhe gjërave të mësuara nga demonët,

2 të cilat vijnë nëpërmjet hipokrizisë së gënjeshtarëve, të damkosur me hekur të nxehtë në ndërgjegjen e tyre.

3 Nuk do t’i lënë njerëzit të martohen dhe do t’i bëjnë të heqin dorë nga disa ushqime që Perëndia i ka krijuar për t’u ngrënë me mirënjohje prej atyre që besojnë dhe e njohin të vërtetën.

4 Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë nuk është për t’u hedhur poshtë, kur pranohet me falënderime,

5 sepse shenjtërohet nëpërmjet fjalës së Perëndisë dhe lutjes.

6 Po t’ua mësosh këto vëllezërve, do të jesh një shërbyes i mirë i Krishtit Jezus, duke u ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të shëndoshë që ke ndjekur.

7 Qëndro larg nga mitet profane të sajuara nga plakat. Përkundrazi ushtroje veten të jesh i përshpirtshëm,

8 sepse ushtrimi fizik ka njëfarë vlere, por përshpirtshmëria është e dobishme për gjithçka, meqë mban premtimin e jetës së tanishme dhe të asaj që vjen.

9 Kjo është fjalë që ia vlen të besohet dhe të pranohet plotësisht.

10 Për këtë mundohemi dhe luftojmë, sepse shpresat i kemi përqendruar te Perëndia i gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve, sidomos i besimtarëve.

11 Udhëzoji këto gjëra dhe mësojua njerëzve.

12 Askush të mos të nënvlerësojë për moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët, në fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim, në pastërti.

13 Derisa të vij unë, përkushtoju leximit publik të Shkrimit, predikimit dhe mësimit.

14 Mos e lër pas dore dhuntinë tënde, që t’u dha nëpërmjet profecisë, kur pleqtë vunë duart mbi ty.

15 Mos i hiq nga mendja këto; kushtojua veten këtyre gjërave, në mënyrë që të gjithë ta shohin përparimin tënd.

16 Kujdesu për veten tënde dhe për mësimin. Të jesh këmbëngulës në këto, sepse duke bërë këtë, do të sigurosh shpëtimin si ti vetë ashtu edhe ata që të dëgjojnë.



Kapitulli 5

1 Mos e qorto me ashpërsi të moshuarin, por këshilloje sikur të ishte yt atë. Me më të rinjtë sillu si me vëllezër,

2 me të moshuarat si me nëna dhe me më të rejat si me motra, me pastërti të plotë.

3 Nderoji vejushat që janë vërtet vejusha.

4 Por nëse ndonjë vejushë ka fëmijë ose nipa, më parë ata duhet të mësohen të tregohen të përshpirtshëm në shtëpinë e vet dhe t’ua kthejnë shpërblimin prindërve të vet, sepse kjo është e pëlqyeshme për Perëndinë.

5 Ajo që është vërtet vejushë dhe që ka mbetur e vetme, e ka varur shpresën te Perëndia dhe vazhdon me përgjërime dhe lutje ditë e natë.

6 Por ajo që bën një jetë pas qejfeve, edhe pse e gjallë, është e vdekur.

7 Këto pra, të japësh porosi, që të jenë të paqortueshëm.

8 Por nëse dikush nuk kujdeset për njerëzit e vet, sidomos për ata të shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më keq se ai që nuk beson.

9 Si vejushë mund të regjistrohet ajo grua, që i ka kaluar të gjashtëdhjetat, dhe ka qenë grua vetëm e një burri,

10 që ka emër për vepra të mira, ka rritur fëmijë, është treguar mikpritëse ndaj të huajve, ka larë këmbët e shenjtërve, u ka dhënë ndihmë atyre që janë në hall dhe që nuk është kursyer të bëjë çdo lloj vepre të mirë.

11 Por mos prano të përfshish si vejusha gra më të reja, sepse të shtyra nga dëshirat e tyre eshpore, ato nuk i përkushtohen më Krishtit, dhe duan të martohen përsëri,

12 duke marrë kështu dënimin, sepse kanë shkelur zotimin e parë.

13 Dhe në të njëjtën kohë ato, duke shkuar shtëpi më shtëpi, mësohen të jenë përtace dhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane e kinse të zëna me punë, duke folur gjëra që s’duhen.

14 Prandaj, dua që vejushat më të reja të martohen, të bëjnë fëmijë e të mbajnë shtëpinë, për të mos i dhënë kundërshtarit asnjë rast të flasë,

15 sepse disa tashmë kanë ndërruar rrugë duke ndjekur Satanin.

16 Në qoftë se ndonjë besimtare ka vejusha në familjen e vet, le t’i ndihmojë ato që të mos rëndohet kisha, që kjo të ndihmojë ato që janë vërtet vejusha.

17 Pleqtë që drejtojnë mirë punët e kishës, të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen duke predikuar dhe mësuar njerëzit.

18 Sepse Shkrimi thotë: "Mos i vër gojëz kaut që shin në lëmë" dhe "Punëtori e ka hak pagën e vet."

19 Mos prano padi kundër ndonjërit prej pleqësisë, veç po t’i dalin dy ose tre dëshmitarë.

20 Ata që mëkatojnë, qortoji para të gjithëve, që edhe të tjerët të kenë frikë se mos mëkatojnë.

21 Po të ngarkoj para Perëndisë dhe Krishtit Jezus dhe engjëjve të zgjedhur të Tij, që t’i ruash këto porosi pa paragjykime dhe asgjë të mos bësh duke i mbajtur anën ndokujt.

22 Mos u nxito për t’i vënë duart sipër ndokujt, as mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve. Ruaje veten të pastër.

23 Mos pi më vetëm ujë, por përdor pak verë për stomakun dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.

24 Mëkatet e disa njerëzve duken sheshit, duke arritur para tyre në vendin e gjykimit; disa të tjerëve, mëkatet u shfaqen më vonë.

25 Po ashtu edhe veprat e mira duken sheshit dhe ato që nuk janë të tilla, nuk mund të fshihen.



Kapitulli 6

1 Gjithë sa janë nën zgjedhë si skllevër, t’i vlerësojnë zotërinjtë e tyre si të denjë për çdo nder, që emri i Perëndisë dhe mësimi ynë të mos përgojohen.

2 Atyre që i kanë zotërinjtë e vet besimtarë, të mos u mungojë respekti, sepse janë vëllezër, por t’u shërbejnë edhe më shumë, sepse ata që përfitojnë janë besimtarë dhe të dashur. Këto gjëra t’u mësosh dhe t’u këshillosh njerëzve.

3 Nëse dikush u mëson njerëzve ndonjë doktrinë tjetër dhe nuk u përmbahet fjalëve të shëndosha të Zotit tonë Jezus Krisht dhe doktrinës që është sipas përshpirtshmërisë,

4 ai krekoset dhe nuk merr vesh asgjë; ai e ka në gjak për të bërë grindje dhe sherre për fjalë, prej të cilave lindin smira, grindjet, sharjet, dyshimet e liga,

5 debatet e pafund të njerëzve mendjeprishur, të cilëve u mungon e vërteta dhe që e mendojnë përshpirtshmërinë si burim fitimi.

6 Përshpirtshmëria sjell fitim të madh për atë që kënaqet me ato që ka.

7 Sepse ne nuk kemi sjellë gjë me vete në këtë botë dhe as nuk mund të marrim gjë prej saj.

8 Po të kemi ç’të hamë e me se të mbulohemi, me këto le të kënaqemi.

9 Por ata që duan të bëhen të pasur, bien në tundim, në kurth dhe në dëshira të shumta të marra dhe të dëmshme, që i zhysin njerëzit në shkatërrim dhe rrënim.

10 Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave dhe disa, duke lakmuar, janë larguar nga besimi dhe e kanë sfilitur veten e tyre me shumë dhimbje.

11 Por ti, o njeri i Perëndisë, ik prej këtyre gjërave dhe ndiq drejtësinë, përshpirtshmërinë, besimin, dashurinë, durimin dhe butësinë.

12 Bëj luftën e mirë të besimit. Përqafo jetën e amshuar në të cilën je thirrur kur ke bërë rrëfimin e mirë para shumë dëshmitarëve.

13 Po të porosit përpara Perëndisë, që u jep jetë të gjitha gjërave dhe para Krishtit Jezus, i cili kur dëshmoi para Ponc Pilatit bëri pohimin e Tij të bukur,

14 që ta ruash këtë urdhërim të panjollosur e pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezus Krishtit,

15 të cilën Perëndia do ta sjellë në kohën e duhur, Perëndia, Sovrani i bekuar dhe i vetëm, Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërinjve,

16 Ai që i vetmi ka pavdekësinë, që banon në një dritë pranë së cilës askush nuk mund të afrohet, të cilën asnjë prej njerëzve nuk e ka parë e as nuk mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm! Amen.

17 Porositi të pasurit e kësaj jete të mos jenë mendjemëdhenj, as të mos i mbajnë shpresat te pasuritë, të cilat janë të pasigurta, por te Perëndia, që na siguron me tepri gjithçka që ta gëzojmë.

18 Porositi të bëjnë mirë, të jenë të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm të ndajnë me njëri-tjetrin.

19 Kështu ata do të vënë mënjanë një thesar për veten e tyre si një themel të fortë për të ardhmen, që të arrijnë atë që është vërtet jetë.

20 O Timote, ruaje atë që të është besuar, duke iu shmangur bisedave të kota e profane dhe argumenteve të asaj që në mënyrë të rreme quhet "dije",

21 të cilën disa e kanë pranuar dhe kështu kanë dalë nga besimi. Hiri qoftë me ju!