MESH’ E PERENDISHME
E ATIT TONË NËRMIET SHËNTORËT
JOAN GOJARTIT

(Noli, 1909)


DIAKU del nga Tribuna dhe, duke qëndruar më vendin e tij të zakonëshm, falet tri herë dhe thotë:

Bekô, ô Zot.

PRIFTI ngre Ungjillin dhe thotë me zë te lartë:

E bekuar është Mbretëria e Atit, e Birit, dhe e Shpirtit Shënt, tanî e përherë, e në jetë të jetëve.

(Bën shënjën e kryqit me Ungjillë përmi Antimensin)

VALLEJA:



Amen.

DIAKU, a në mos ka, PRIFTI vetë thotë:

LITANI E MADHE



Me paqje le t’i lutemi Zotit.

VALLEJA:



Mëshiro, o Zot.
(Gjithë kështu thotë dhe në ç’do lutje të Paqësoreve)

Për paqjen që-lartazi, dhe për shëllbimin e shpirteve tona, le t’i lutemi Zotit.

Për paqjen e tërë botës, mirqëndrimin e Kishëve të shënta të Perëndisë, dhe për bashkimin e të gjithave, le t’i lutemi Zotit.

Për këtë shtëpi të shëntë, dhe për ata që hyjnë brënda në të me besë, dovotesë, dhe frikë Perëndie, le t’i lutemi Zotit.

Për Kryepeshkopin tonë (aksh), të ndershmen Presbyteri, dhe Diakonatën më Krisht, për tërë Klerin dhe Popullin, le t’i lutemi Zotit.

Për Presidentin e Shteteve të Bashkuar (apo për Mbretin, a Perandorin e vëntit ku bëhet Mesha), Ushtërinë dhe Aniesën’ e tij, le t’i lutemi Zotit.

Që të lëftojë bashkë me të dhe të përmbysë nënë këmbët e tij ç’do armik dhe kundrështar, le t’i lutemi Zotit.

Për këtë shtëpi të shëntë (a monaster), ç’do qytet, dhe vënt, dhe për ata që rrinë nër to me besë, le t’i lutemi Zotit.

Për tempërim të mirë të erërave, rrafshëri të pemëve të dheut, dhe për kohëra të paqëshme, le t’i lutemi Zotit.

Për ata që lundrëzojnë, që udhëtojnë, për të sëmurët, vuajtësit, robërit, dhe për shëllbimin e tyre, le t’i lutemi Zotit.

Që të shpëtohemi prej ç’do hidhëmërie, reziku, dhe nevoje, le t’i lutemi Zotit.

Përkrah-na, shpëto-na, mëshiro-na, dhe ruaj-na, o Perëndi, me hirin tënt.

Tërëshëntën, të pacinuarën, të përmibekuarën, të lavdëruarën Zonjën tonë Hyjlindëse, dhe gjithmon virgjërën Mari, bashkë me gjithë Shëntorët duke kujtuar veten tonë dhe njërjatërin, dhe gjithë jetën tonë, Krishtit Perëndisë le t’ia pranojmë.

VALLEJA:



Ty, o Zot.

PRIFTI me zë të lartë:

Se ty të ka hie ç’do lavdi, nderim dhe adhurim, Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen - Me nërmjetimet e Hyjlindëses, Shpëtimtar, shpëto-na (4 herë).
Ose në vënt të kësaj, thohet Psalmi 103. Kur këndohet prej Valleve Antifon’ i Parë, Prifti këndon Urimin. Diaku, passi falet, shkon e qëndron përpara Hyjlindëses, duke shëkuar Korën e Krishtit.

Urim’ i Antifonit të Parë, që e thotë PRIFTI fshehtazi:


O Zot Perëndia jonë, pushteti i të cilit është i pakorësuar, dhe lavdia e pakupëtuar; përdëllim’ i të cilit ësht’ i panëmëruar, dhe njerzidashja e patreguar: Ti, o Zot, pas zëmërdhëmpshërisë s’ate, hith synë mi ne dhe mi këtë Shtëpi të shëntë dhe bëj që të jenë me ne dhe me ata që luten bashkë me ne përdëllimet dhe dhëmpshërirat e tua të pasura.

Passi mbarohet Antifon’ i Parë, DIAKU vien dhe, duke qëndruar më vëndin e zakonëshm, thotë:

LITANI E VOGËL



Përsëri dhe përsëri më paqje, le t’i lutemi Zotit.

VALLEJA:



Mëshiro, o Zot.

Përkrah-na, shpëto-na, mëshiro-na, dhe ruaj-na, o Perëndi, me hirin tënt.

Tërëshëntën, të pacinuarën, të përmibekuarën, të lavdëruarën Zonjën tonë Hyjlindëse, dhe gjithmon virgjërën Mari, bashkë me gjithë Shëntorët duke kujtuar veten tonë dhe njërjatërin, dhe gjithë jetën tonë, Krishtit Perëndisë le t’ia pranojmë.

VALLEJA:



Ty, o Zot.

PRIFTI me zë të lartë:

Se jotja është lartmadhësia, edhe jotja është Mbretëria, edhe fuqia, edhe lavdia, e Atit, e Birit, dhe e Shpirtit të Shënt, tani e pëherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amin - Shpëton-na, o i Bir i Perëndisë, që u-ngjalle së vdekurësh, ne që të këndojmë. Alleluia (Katër herë).

Lavdi Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amen.

O i Bir’ i vetëm dhe Fial’ e Perëndisë që je i pavdekur, dhe dignove, për shëllbimin tonë, të mishërohesh prej Hyjlindëses së shëntë dhe gjithmon virgjërës Mari, e u-bëre njeri pa ndryshuar; që u-kryqësove për ne, o Krisht Perëndi, edhe shkele vdekjen me vdekje; që je një prej Trinisë së Shëntë dhe lavdërohesh bashkë me Atin e me Shpirtin Shënt, shpëto-na.

Ose në vënt të këtyre thohet Psalmi 145.

PRIFTI fshehurazi thotë këtë:


URIM’ I ANTIFONIT TË DYTË



O Zot, Perëndia jonë, shpëto popullin tënt dhe beko-je trashëgimin tënt; rrafshërin’ e Kishës s’ate ruaj-je, shëntëroj-i ata që dëshërojnë mirhiesin’ e Shtëpisë s’ate. Ti lavdëroj-i për çpërblim me fuqinë tënde të perëndishme dhe mos na ler ne që shpresojmë më ty.

DIAKU thotë Litanin’ e Vogël:

Përsëri dhe përsëri ..., (shëko më sipër).

Prifti me zë të lartë:

Se ti je Perëndi’ e mirë dhe njerzidashëse dhe ty të dërgojmë lavdi, Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

Urim’ i Antifonit të Tretë, që e thotë Prifti fshehtazi:

Ti që na fale këtë lutje të përbashkme dhe të bashkëzëshme, që u-zotove t’u falsh kërkimet dhe dyve dhe treve, që janë më një mëndje më emërin tënt; ti dhe tani mbaroj-i dhe kërkimet e shërbëtorëve tënt pas së mirës s’ate, duke u falur kupëtimin e së vërtetës s’ate më shekullin e tanishmë, dhe duke u dhuruar jetën e amëshuar më kohën për-të-ardhur.

Pastaj këndohen Lumërimet, ose Përlëshorja Ngjallësore. Prifti merr Ungjillë, i a ep Diakut dhe kështu dalin nga Der’ e Veriut dhe bëjnë Hyrjen e Vogël pas zakonit.

URIM’ I HYRJES S’UNGJILLIT TË SHËNTË, që e thotë PRIFTI fshehtazi:


O Zot, Perëndia jonë, që vëndose nër qiejtë urdhëre dhe ushtërira Ëngjëjsh dhe Kryeëngjëjsh, për meshim të lavdisë s’ate, bëj bashkë me hyrjen tonë të bëhet dhe një hyrje Ëngjëjsh të shëntë për të meshuar mirësisë s’ate bashkë me ne. Se ty të ka hie ç’do lavdi, nderim, adhurim Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt tani e përherë, e në jetë të jetëve.

Passi mbarohet kio, DIAKU i thotë Priftit, duke rrëfyer nga Lindja me dorën e diathtë, dhe duke mbajtur Orarë me tre gishtër:

Beko, o Zot, Hyrjen e shëntë.

PRIFTI, duke bekuar, thotë:

E bekuar është Hyrja e Shëntorëve tënt, për gjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

Pastaj Diaku shkon te Kryeprifti ose Hegumeni, që t’a puthë Ungjillë, në ka; në mos ka, e puth Prifti. Siç mbarohet Tropari, DIAKU vien e qëndron në mest përpara Priftit dhe thotë me të math:

Urtësi, o të drejtë.
Ejani le t’i falemi e t’i biem nër këmbë Krishtit.
Shpëto-na, o i Bir’ i Perëndisë, që u-ngjalle së vdekurësh, ne që të këndojmë. Alleluia.

Pastaj thohet Përlëshorja Ngjallësore, Përlëshorja e Shëntit, në ka, Tropar’ i Shëntit të Kishës edhe kio Shkurtore, në qoftë se s’thohet Shkurtorja e nonjë të Krëmteje të Madhe:

HYJLINDËSORE



Mburonj’ e të Krishterëve e paturpëruar, nërmjetim te Krijetari i paçvëndosur, mos çvështro zëra lutjesh prej mëkatarësh, po arri si e mire për të na ndihmuar, ne që të thërrasim besërisht: Nxito ndë nërmjetim dhe shpejto në lutje, o Hyjlindëse që mpron ngaherë ata që të nderojnë.

Pas këtyre thotë DIAKU:

Le t’i lutemi Zotit.

PRIFTI me zë të lartë:

Se i shëntë je, o Perëndia jonë, dhe ty të dërgojmë lavdi Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë.

DIAKU:



E në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen. Shënt Perëndi, Shënt i Fuqishmë, Shënt i Pavdekur, mëshiro-na (Tri herë).
Lavdi Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt.
Tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amen.
Shënt i Pavdekur, mëshiro-na.

DIAKU:



Fuqi.

VALLEJA nga-dalë:



Shënt Perëndi, Shënt i Fuqishmë, Shënt i Pavdekur, mëshiro-na.

Kur këndohet Trishënti, Prifti thotë këtë Urim fshehtazi:

URIM’ I HYMNIT TRISHËNTOR



O Perëndi e shëntë, që prëhesh nër Shëntorët, që përhymnohesh me zë të trishëntë prej Serafimeve, që lavdërohesh prej Qerubimeve, dhe që adhurohesh prej ç’do Fuqie qiellore; që e bëre gjithësinë të jetë nga e mosqëna; që gatove njerinë pas korës dhe pas shëmbëllsisë s’ate, dhe e përstolise me ç’do dhuratë tënde; ti që i jep urtësi dhe kupëtim ati që lyp, dhe nuk çvështron mëkatarin, po vure pendimin për shpëtim; që na vlerësove ne shërbëtorët e tu të përunjët e të pavyer të qëndrojmë dhe më këtë orë përpara lavdisë s’Alltarit tënt të shëntë dhe të të siellim adhurimin dhe lavdërimin që të dëtyrojmë: Ti, o Zot, prit dhe prej gojës s’onë së mëkatarëve Hymnin Trishëntor, dhe vështro-na në mirësi tënde. Ndje-na ç’do faj të dashur dhe të padashur; shëntëro-na shpirtet dhe trupet dhe ep-na të t’adhurojmë m’oshënari tërë ditët e jetës s’onë; me nërmjetimet e Hyjlindëses së shëntë dhe të gjithë Shëntorëve që të kanë pëlqyer prej jete. Se i shëntë je, o Perëndia jonë, dhe ty të dërgojmë lavdi Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

Kur thohet Hymni Trishëntor prej Valles, e thonë dhe Prifti me Diakun për-së-treti; dhe në meshon Kryeprift, a meshojnë shumë Priftër bashkë, këndohen prej Tribunës për-së-treti; pastaj i thotë DIAKU Priftit:

Urdhëro, o Zot.

Dhe shkojnë në Kathedrë, a në Parëvënje, dhe PRIFTI thotë:

I bekuar ësht ay që vien më emërin e Zotit.

DIAKU:



Beko, o Zot, Kathedrën lart.

PRIFTI:



I bekuar je ti që je majë fronit të lavdëruar të Mbretërisë s’ate, ti që rri mi Qerubimet për gjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

Passi mbarohet Hymni Trishëntor, DIAKU vien përpara Dyerve të shënta, e thotë:

Le të vëmë re. Urtësi, le të vëmë re.

Këndohet Apostulli dhe, si mbarohet, thotë PRIFTI:

Paqje mi ty që ligjëron dhe mi tërë popullin.

VALLEJA:



Alleluia (Tri herë).
Më të kënduarit e saj DIAKU temianis, dhe PRIFTI thotë këtë Urim fshehtazi:


URIM PARA UNGJILLIT



Shkëlqe nër zëmrat tona, o Zot njerzidashës, dritën e pamplakur të hyjdijes s’ate, dhe çel-i syt’ e mëndjeve tona më kupëtimin e lëçitjeve tënde ungjillësore; vër brenda nër ne dhe frikën e urdhëratave tënde të lumura, që, duke shkelur dëshirat mërshore, të shkojnë jetë mëndore, duke mejtuar e duke bërë të gjitha ato që të pëlqejnë; Se ti je ndritshimi i shpirteve dhe i trupeve tona, o Krisht Perëndi, dhe ty të dërgojmë lavdi, bashkë me Atin tënt të panisjeshim, dhe me tërëshëntin, të mirin, dhe jetëdhënësin Shpirtin tënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

DIAKU, passi temianis, vien te Prifti dhe, duke i unjur kryet, e duke mbajtur Ungjillin me Orarë, thotë:

Beko, o Zot, Ungjillor’ e Apostullit të shëntë dhe Ungjillor (Aksh).

PRIFTI e shënon me kryq e thotë:

Perëndia, me nërmjetimet e Apostullit të shëntë e të lavdëruar dhe Ungjillor (aksh), le të t’apë ty ungjillonjësit fialë me fuqi të shumë, për mbarimin e Ungjillit të Birit të tij të dashur dhe Zotit tonë Jesu Krisht.

Dhe, siç shkon Diaku dhe qëndron më vëndin e zakonëshm, PRIFTI thotë:

Urtësi, o të drejtë; le të dëgjojmë Ungjillin e shëntë; paqje mi ju të gjithë.

VALLEJA:



Dhe me frymën tënde.

DIAKU:



Këndimi prej Ungjillit të shëntë pas... (aksh)

PRIFTI:



Le të vëmë re.

VALLEJA:



Lavdi më ty, o Zot, lavdi më ty.

Si mbarohet Ungjilli PRIFTI i thotë Diakut:

Paqje mi ty që ungjillëson.

VALLEJA:



Lavdi më ty, o Zot, lavdi më ty.

DIAKU, si i a jep Priftit Ungjillë dhe si qëndron më vëndin e tij të zakonëshm thotë:


LITANI E GJERË



Le të thomi me gjithë shpirtin dhe me gjithë mendjen tonë le të thomi.

VALLEJA:



Mëshiro, o Zot (Tri herë)

O Zot, i tërëfuqishim, Perëndi e Atërve tanë, të lutemi, dëgjo e mëshiro.

Mëshiro-na, o Perëndi, pas mishirës s’ate së madhe, të lutemi, dëgjo e mëshiro.

URIM’ I LITANISË SË GJERË, që e thotë PRIFTI fshehtazi.



O Zot, Perëndia jonë, akseptó këtë litani të gjerë prej shërbëtorëve tënt, dhe mëshiro-na pas shumicës së mëshirave të tua; dhe dërgo dhëmpshurit’ e tua mi ne dhe mi tërë popullin tënt, që pret prej teje mëshirën e pasur.

DIAKU:



Lutemi edhe për të Krishterët pietozë dhe orthodoxë.

Lutemi edhe për Kryepeshkopin tonë... (aksh).

Lutemi dhe për tërë vëllezërit tanë, Priftër, Hierokllogjër, dhe gjithë vëllazërinë t’onë më Krishtin.

Lutemi edhe për Ndërtonjësit e lumur dhe të përkujtuarshim të kësaj Kishe së shëntë (ose Monaster), dhe për tërë vëllezërit dhe atërit tanë të prehur para nesh, dhe orthodoxët që ndehen këtu e kudo.

Lutemi dhe për mëshirë, jetë, paqje, shëndet, shpëtim, vështrim, ndjesë dhe falje të mëkatave të shërbëtorëve të Perëndisë, dhe për gjithë të Krishterët orthodoxë, famulltarë, epitropë dhe ndihmëtarë të këti Tempulli të shëntë.

Lutemi edhe për ata që siellin pemë dhe vepra të mira në këtë Tempull të shëntë, që mundohen, që këndojnë, dhe për popullin që rri rrotull, dhe pret mëshirën e madhe e të pasur prej teje.

PRIFTI me zë të lartë:

Se Perëndi mëshirëplote dhe njerzidashëse je, dhe ty të dërgojmë lavdi, Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

Këtu PRIFTI merr Ungjill’ e shëntë dhe bën kryq mi Antimensin e shëntë. DIAKU thotë:

LITANI E KATEKUMENËVE



Lutuni Zotit, ju Katekumenët.
Ne besnikët le të lutemi për Katekumenët.
Që t’i mëshirojë Zoti.
Që t’i kateqisë me fialën e së vërtetës.
Që t’u zbulojë Ungjill’ e drejtësisë.
Që t’i bashkojë me Kishën e shëntë të Përgjithëshme dhe Apostollore.
Shpëto-na, mëshiro-na, përkrah-na dhe ruaj-na, o Perëndi me hirin tënd.
Ju katekumenët, krerët tuaja unjiani Zotit.

URIMI I KATEKUMENËVE, që e thotë PRIFTI fshehtazi, para se të ndehet Antimensi.

O Zot, Perëndia jonë, që rri më të lartat dhe përmiqyr të përunjurat, që i dërgove gjindjes së njerësve për shpëtim Birin tënt të Vetëm dhe Perëndi, dhe Zotin tonë Jesu Krisht, hith synë mi shërbëtorët tënt katekumenë, që të kanë unjur xverkun e tyre; dhe vlerësoj-i më kohë të mbarë për banjën e përlindjes, për ndiesën e mëkatave, dhe për robën e paprishjes; bashkoj-i me Kishën tënde të shëntë, të Përgjithëshme, dhe Apostollore, dhe nëmëroj-i bashkë me kopenë tënde të zgjedhur.

PRIFTI me zë të lartë:

Që të lavdërojë dhe ata bashkë me ne emërin tënt të ndershim dhe madhështor, të Atit, e të Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

PRIFTI nden Antimensin. DIAKU:

Sa jini katekumenë shkoni; katekumenët, shkoni. Asnjë prej katekumenët [të mos mbetet]. Sa janë besnikë-
Përsëri dhe përsëri me paqje le t’i lutemi Zotit.


MESH’ E BESNIKËVE



URIM’ I PARË I BESNIKËVE, që e thotë PRIFTI fshehtazi, si ndehet Antimensi.

Të përhirojmë, o Zot, Perëndi e Fuqive, që na vlerësove të qëndrojmë dhe tani përpara Alltarit tënt të shëntë e të përbiem nër dhëmpshërit’ e tua për mëkatet tona dhe për padijet e popullit. Prit, o Perëndi, faljen tonë: bë-na të vyer të mblatojmë, falje, lutje, dhe therore të pagjakëshme për gjithë popullin tënt; dhe bë-na të zottë ne, që vure më shërbimin tënt, me fuqinë e Shpirtit tënt Shënt, të të përgrishojmë më ç’do kohë e më ç’do vënt, faqebardhë dhe pa ndalim, me dëshmim të qëruar të vetëdijës s’onë, që të na dëgjosh e të bëhesh i mëshirëshm në shumicë të mirësisë s’ate.

DIAKU:



Përkrah-na, shpëto-na, mëshiro-na, dhe ruaj-na, o Perëndi, me hirin tënt. Urtësi.

PRIFTI me zë të lartë:

Se ty të ka hie ç’do lavdi, nderim, dhe adhurim, Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

DIAKU:



Përsëri dhe përsëri, më paqje le t’i lutemi Zotit.

URIM’ I DYTË I BESNIKËVE, që e thotë PRIFTI fshehtazi.



Prapë e shumë herë të biem nër këmbë e të lutemi, o i mirë dhe njerzidashës, që të hedhësh synë mi faljen tonë dhe të na i paqësosh shpirtet e trupet prej ç’do ndotësie, e të na falsh qëndrim përpara Alltarit tënt të shëntë pa faj e pa dënim. Dhuroj-u, o Perëndi, dhe atyre që falen bashkë me ne përparim jete, dhe bese, dhe kupëtimi mëndor; ep-u që të t’adhurojnë të pafajshim për gjithmonë me frikë e me dashuri, dhe të piesëtojnë pa dënim Mysteret e tua të shënta, dhe të vlerësohen për Mbretërinë tënde qiellore.

DIAKU:



Përkrah-na, shpëto-na, mëshiro-na, dhe ruaj-na, o Perëndi, me hirin tënt.

PRIFTI me zë të lartë:

Që të mundim, të ruajtur për gjithmonë prej fuqisë s’ate, të të dërgojmë lavdi, Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

Dhe me-një-herë thotë:

HYMNI QERUBIK



Ne që korëzojmë mystikërisht Qerubimet dhe hymnin Trishëntor Trinisë jetëdhënëse po i këndojmë, le të hedhim lark nesh ç’do kujdes rrojtjeje. Se Mbretnë... (Këtu del Prifti jashtë me kungatën) e të gjithave do të presim, duke patur pas padukurisht Urdhëret Ëngjëllore. Alleluia, alleluia, alleluia.

URIMI që thohet fshehtazi prej Priftit, kur këndohet Hymni Qerubik:

Asnjë nga të përlidhurit me dëshirat dhe volypteret mërshore s’ësht i vyer të të vinjë pranë, a të t’afërohet, a të të meshojë, o Mbret i lavdisë, se të shërbyerit te ty është gjë e madhe dhe e trëmpshime dhe për vetë Fuqitë qiellore. Mirë-po, nga njerzidashja jote e patreguar dhe e panëmëruar, u-bëre njeri pa ndryshuar e pa jatëruar, dhe pate qënë Kryeprifti ynë, dhe na përdhe shërbesën e shëntë të kësaj therroreje të pagjakëshme dhe lirturgike, si Zot i të gjithave. Se ti vetëm, o Zot Perëndia jonë, zotëron mi qielloret e mi të dheshmet, ti që rri mi fronë qerubik, Zot i Serafimeve, dhe Mbret i Israelit, i vetëmi Shënt dhe i prëhur nër Shëntorët. Ty pra të lutem të vetëmit të mirë dhe gati për të dëgjuar. Hith synë mi mua shërbëtorin tënt mëkatar e të padobishim, dhe spastro-m’a shpirtin dhe zëmërën prej ndërgjegjjeje të ligë; dhe bëj-më të zotin me fuqin’ e Shpirtit Shënt, të veshur me hirin e Priftërisë, të qëndroj përpara kësaj Tryezës s’ate të shëntë, dhe të ministëroj Trupin tënt të shëntë e të pacinuar dhe Gjakun tënt të çëmuar. Se te ty vij, duke unjur xverkun t’im, e po të lutem: Mos kthe faqen tënde prej meje, as mos më hith tej prej diemvet e tu, po digno të të ‘blatohen këto dhurata prej meje, shërbëtorit tënt mëkatar e të pavyer. Se ti je ‘blatonjësi dhe i ‘blatuari, pritësi dhe i përndari, o Krisht Perëndia jonë, dhe ty të dërgojmë lavdi, bashkë me Atin tënt të panisjeshim, dhe tërëshëntin, të mirin dhe jetëdhënësin Shpirtin tënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amen.

Kur këndohet Hymni Qerubik, ligjërohet prej PRIFTIT fshehtazi tri herë me duartë përpjetë:

Ne që korëzojmë...

DIAKU:



Se Mbretn’ e të gjithave...

Pastaj PRIFTI teminais Alltar’ e shëntë, duke thënë me vete këto Tropare:

Në varrt trupërisht... (Shëko ne Blatë).
Lavdi... varri yt, o Krisht...
Tani... Gëzoh-u, o tendësim...

Pastaj qëndron në Derë të bukur, duke thënë fshehtazi “Eani t’i falemi” tri herë dhe Psalmin 51, temianis Korat e shënta dhe popullin dhe - kur arrin te vargu “Atëhere do t’pëlqesh therore drejtërie, dhurata dhe holokoste” - Hyn në Tribunë të shëntë, temianis përsëri Alltarë, Parëvënjen dhe tërë priftërinë, vë temianicën më vëntt, dhe BASHKË ME DIAKUN qëndrojnë përpara Alltarit të shëntë duke thënë këto:

Mëkatova te ty, o Shpëtimtar, si Biri Prodig; prit-më, o Atë, të penduar, dhe mëshiro-më, o Perëndi.

Të thërres, o Krisht Shpëtimtar, me zën’ e Kumerqarit; fal-më si dhe atë, dhe mëshiro-më, o Perëndi.

Mprojtjen dhe ndihmën tënde të shpejtë dhe përdëllimin rrëfe-i mi shërbëtorin tënt, dhe zbut-i valët e mejtimeve të kotta, o e Kulluar, dhe shpirtin t’im ngrej-e, o Hyjlindëse; se e di, e di, o Virgjëreshë, që munt t’i bësh sa që të duash.

Dhe si falen që të dy për-së-treti ati Alltari, puthin Antimensin e shëntë, kthehen nga populli dhe, duke unjur kryet, shkojnë te Parëvënja e shëntë, dhe PRIFTI thotë këto Tropare:

Si i rënë nër kusarë, dhe i plagosur, ashtu dhe unë rashë nga mëkatet e mia dhe shpirti im është plagosur; te cili të përikëj unë fajtori, veç te ty zëmër-dhëmpshuri dhe mieku i shpirteve? Derth mi mua, o Perëndi, përdëllimin tënt të math.

Si Biri Prodig erdha dhe unë te ty, o Mëshirëplot; prit-më që të bie nër këmbë, dhe mëshiro-më.

Ty që vishesh me dritën me robë, si të zbriti Josefi prej drurit bashkë me Nikodemin, e të pa të vdekur, të çveshur, e të pavarrosur, të nis një vaj të mallëngjyer e, duke vajtuar, po thoshte: Mier’ unë, o fort i ëmbël Jesu! të cilin, para pak kohe, kur të pa dielli të varrur më Kryq, pështillej me errësirë, dhe dheu valonte nga frika, dhe çahej kurtin’ e tempullit; po ja tani po shëkoj që durove vdekje për mua vullnetarisht.

Si të të varros, o Perëndia ime? a po si të të pështiell me pëlhura? dhe me ç’duar t’i mpshtetem Trupit tënt të pamplakur? a po ç’këngë t’i këndoj exodit tënt, o Zëmër-dhëmpshur? madhështoj Pësimet e tua, përhymnoj dhe varrimin tënt, bashkë me Ngjalljen, duke thirrur: lavdi më ty.

Passi mbarohen këto, thonë:

O Zot, fal-më mua mëkatarin dhe mëshiro-më (Tri herë).

Pastaj puthin të shëntat, duke thënë:

Shënt Perëndi, At i Panisjeshëm... (Shëko në Blatë).

DIAKU i thotë Priftit:

Ngrej-i, o Zot.

PRIFTI merr Erën dhe i a vë Diakut mi supet, duke thënë:

Me paqje ngreni duartë tuaja në të shëntat, dhe bekoni Zotin.

Pastaj merr Diskun e shëntë dhe i a vë Diakut mi krye, duke thënë:

Hipi Perëndia me brohori, Zoti me zë trumpete.

Merr dhe Prifti Qelqin e shëntë dhe dalin nga der’ e Veriut;
DIAKU thërret:


Të gjithë ne na kujtoftë Zoti Perëndi në Mbretëri të tij për gjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

Pastaj PRIFTI:



Presidentin e Shteteve të Bashkuar, Ushtërinë dhe Aniesin’ e tij (A në qoftë se Mesha bëhet në tiatër Shtet, kujtohet emëri i Mbretit të vëndit.)
Të gjithë të Krishterët pietozë dhe Orthodoxë, që rrinë e ndodhen në këtë qytet, famulltarët, epitropët, ndihmëtarët, dhe përsëritësit e këti Tempulli të shëntë, ndërtonjësit e lumur të tij, dhe priftërinë tonë e kujtoftë Zoti Perëndi në Mbretëri të tij përgjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

(Në Meshon bashkë me nonjë Kryeprift “Kryepriftërinë tënde e kujtoftë”...etc.) Passi bëhet hyrja e dhuratave të çëmuara, Diaku qëndron më të diathtë të Alltarit, duke mbajtur Diskun mi kokë, dhe i thotë Priftit a Kryepriftit: “Kryepriftërinë, a Priftërinë tënde e kujtoftë Zoti... etc.” Dhe Prifti a Kryeprifti Diakut: “E kujtoftë Zoti Perëndi hierodiakërinë tënde në Mbretëri...etc.”

PRIFTI e vë Qelqin e shëntë mi Antimensin më anën e diathtë dhe Diskun, si e merr nga kryet e Diakut, e vë m’anë të mëngjër, duke thënë këto Tropare:


Bujari Josef, si e zbriti prej drurit trupin tënt të pacinuar, e pështolli me pëlhurë të paqme dhe me aroma, dhe me vaje e vuri në një varr të ri.

Grave myrrëprurëse, duke qëndruar pranë varrit, Ëngjëlli u thërriste: Myrrat u kanë hie të vdekshimve, po Krishti u-rrëfye i huaj për prishjen.

Kur zbrite te vdekja, o jeta e pavdekur, atëhere Skëterrën e vdiqe me shkëlqimin e Hynisë; dhe kur ngrite të vdekurit nga fundet e dheut, atëhere Fuqitë qiellore të thërrisnin: Jetëdhënës Krisht, Perëndia jonë, lavdi më ty.

Pastaj merr Erën prej supeve të Diakut dhe, si e temianis, mbulon të Shëntat dhe i puthin; pastaj DIAKU i thotë Priftit:

Mirësoj-i, o Zot.

PRIFTI merr Temianicën dhe temianis, duke thënë fundin e Psalmit 51:

Atëhere do të shpien viçër mi alltarin tënt.

I’a ep Temianicën Diakut, i cili e vë më vëntt. Pastaj i thotë PRIFTI Diakut:

Kujto-më, o vëlla dhe bashkëmeshor.

DIAKU:



E kujtoftë priftërine tënde Zoti Perëndi në Mbretëri të tij...

Pastaj DIAKU i unj kryet Priftit, duke mbajtur Orarë me dorën e diathtë dhe i thotë:

Lut-u për mua, o Zot i shëntë.

PRIFTI:



Shpirti Shënt do të vijë mi ty dhe fuqia e të Lartit do t’të hiesojë.

DIAKU:



Vetë Shpirti do t’meshojë bashkë me ne, tërë ditt’ e jetës s’onë.

Përsëri DIAKU:



Kujto-më, o Zot i shëntë.

PRIFTI:



Të kujtoftë Zoti Perëndi në Mbretëri të tij përgjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amen.

DIAKU, si puth të diathtën e Priftit, del te Tribun’ e shëntë dhe, duke qëndruar më vëndin e tij të zakonshëm, thotë me zë të lartë:

Le t’ia mbarojmë lutjen tonë Zotit.

VALLEJA:



Mëshiro, o Zot. (Gjith’ashtu dhe më tutje.)

Për Dhuratat e çëmuara të parëvëna, le t’i lutemi Zotit.

Për këtë shtëpi të shëntë, dhe për ata që hyjnë brenda në të me besë, devotesë dhe frikë Perëndie, le t’i lutemi Zotit.

Që të shpëtohemi prej ç’do hidhërimi, mërie, reziku dhe nevoje, le t’i lutemi Zotit.

URIM’ BLATËS, që e thotë PRIFTI fshehtazi, passi vihen Dhuratat e Hyjëshme në Alltar të shëntë.

O, Zot, Perëndi e tërëfuqishme, i vetëmi i shëntë, që pret therore lavdërimi prej atyre që të përthërresin me gjithë zëmër, prit dhe faljen tonë të mëkatarëve, dhe shpier-e n’Alltarë tënt të shëntë; dhe bëj-na të zottë të të ‘blatojmë Dhurata dhe therore të shpirtëshme për mëkatat tona dhe për padijet e popullit. Vlerëso-na që të gjejmë hir përpara teje, dhe të pritet mirë prej teje theroreja jonë, dhe të tendësojë Shpirti i mirë i hirit tënt mi ne, dhe mi këto Dhurata të parëvëna, dhe mi tërë popullin.

DIAKU me zë të lartë:



Përkrah-na, shpëto-na, mëshiro-na dhe ruaj-na, o Perëndi, me hirin tënt.

Ditën të tërë, të mbarë, të shëntë, të paqëshme dhe të pamëkatëshme le t’i lypim Zotit.

VALLEJA:



Fal-na, o Zot (Gjith’ashtu më tutje.)

Ëngjëll paqjeje, udhëheqës besnik, ruajtës të shpirteve dhe të trupeve tona, le t’i lypim Zotit.

Ndiesë dhe falje të mëkateve dhe të fajeve tona le t’i lypim Zotit.

Të mirat e të dobishmet për shpirtet tona, dhe paqje për botën, le t’i lypim Zotit.

Që të shkojmë kohën e rrojtes s’onë që na mbetet më paqje e më pendim le t’i lypim Zotit.

Mbarim të krishterë të jetës s’onë pa dhëmbje, faqebardhë dhe të paqëshme dhe të paqëshmë, dhe mprojtje të mirë përpara Gjykatores së trëmpshime të Krishtit le të lypim.

Tërëshënten, të pacinuarën, të përmibekuarën, të lavdëruarën, Zonjën tonë Hyjlindëse dhe gjithmon-virgjërën Mari, bashkë me gjithë shëntorët duke kujtuar veten tonë dhe njërjatërin, dhe gjithë jetën tonë Krishtit Perëndisë le t’i a pranojmë.

VALLEJA:



Ty, o Zot.

PRIFTI me zë të lartë:



Me përdëllimet e të vetëmit t’yt Bir, me të cilin je i bekuar, bashkë me tërëshëntin, të mirin, dhe jetëdhënësin Shpirtin tënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

PRIFTI:



Paqje mi ju të gjithë.

VALLEJA:



Dhe me frymën tënte.

DIAKU:



Le të duam njërjatërin që të rrëfejmë me një mëndje.

VALLEJA:



Atin, e Birin, edhe Shpirtin Shënt, Trininë e Bashkëqënurshme dhe të pandarë.

DIAKU:



Dyertë! Dyertë! me urtësi le të vëmë re.

Prifti, si falet tri herë, puth Dhuratat e shënta siç janë të mbuluara dhe anën e Alltarit duke thënë: “Do t’të dua, o Zot, fuqia ime; Zoti është mpshetja ime, përikja ime dhe shpëtimtari im” (tri herë). Pastaj e ngre Erën përmi Dhuratat e shënta dhe e tunt përsipër. Kur arrin në Nyjën VI “dhe u-ngjit nër qiejtë...” të Symbolit të Besës, e palos dhe e vë më nj’anë.

POPULLI:



Besoj më një Perëndi, Atin e tërëfuqishim, krijetarin e qiellit e të dheut, dhe të gjithë të dukurave e të padukurave.

E në një Zot Jesu Krisht, të vetëmin Bir të Perëndisë që lindi prej Atit para gjithë jetëve. Dritë prej Drite, Perëndi e vërtetë prej Perëndie të vërtetë, që lindi e nuk u-bë, të bashkëqënurshme me Atin, me anën e të cilit u-bënë të gjitha. Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë u-mishërua prej Shpirtit Shënt dhe virgjërës Mari e u-bë njeri. Që u-kryqësua për ne më kohë të Pontit Pilat dhe vojti dhe u-varrua. Dhe u-ngjall më të tretën ditë pas Shkronjave. Dhe u-ngjit më qiell e ndënji më të diathtë të Atit, dhe do të vinjë prapë më lavdi të gjykojë të gjallët e të vdekurit, Mbretëri’ e të cilit do t’mos ketë mbarim.

Dhe më Shpirtin Shënt, Zotin, e Jetëdhënësin, që dërgohet prej Atit, që adhurohet e lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e Profetëve.

Më një Kishë të Shënt, të Përgjithëshme, dhe Apostollore.

Rrëfej një Pagëzim për ndjesë të mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e botës që vien. Amen.

DIAKU:



Le të qëndrojmë mirë, le të qëndrojmë me frikë; le të vëmë re për të ‘blatuar ‘Naforën e shëntë.


VALLEJA:



Mëshirë paqjeje, therore lavdërimi.

PRIFTI:



Hir’ i Zotit tonë Jesu Krisht, dhe dashuri’ e Perëndisë dhe Atit, dhe kungim’ i Shpirtit Shënt qoftë me gjith’ ju. Dhe e bekon popullin; Diaku erëson të shëntat me reverim.

VALLEJA:



Dhe me frymën tënde.

PRIFTI:



Le t’i ngremë lart zëmrat tona. (Ngre duart’ e tij lart).

VALLEJA:



I ngremë te Zoti.

PRIFTI:



Le t’a përhirojmë Zotin.

VALLEJA:



I ka hie dhe është’ e drejtë t’i falemi Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, Trinisë së bashkëqënurshme dhe së pandarë.

PRIFTI fshehtazi:



Të ka hie dhe ësht e drejtë të të hymnojmë, të të bekojmë, të të lavdërojmë, të të përhirojmë, të t’adhurojmë në ç’do vënt të zotërimit tënt; se ti je Perëndi e patreguar, e pakuptuar, e padukur, e pamarrë-vesh, që je gjithmonë, që je pa ndryshuar, ti dhe Biri yt i vetëm, dhe Shpirti yt Shënt. Ti na bëre të jemi nga e mos-qëna, dhe, kur ramë jashtë, na ngrite prapë dhe nuk pushove së bëri të gjitha, gjer sa na ngrite në qiell dhe na fale Mbretërinë tënde që vien. Për këto të gjitha të përhirojmë ty, dhe Birin tënt të vetëm, edhe Shpirtin tënt Shënt; për gjithë sa dimë, dhe sa s’dimë, për mirëbërjet e dukura dhe të padukura që na janë bërë. Të përhirojmë dhe për këtë meshë, të cilën dignove t’a preç prej duarve tona, megjithë-që të qëndrojnë përpara mijëra Kryeëngëjsh, dhe myriade Engjëjsh, Qerubimet, dhe Serafimet, të gjashtë-krahëshme dhe të shumë-syshme, me krahë në erë lart-

Me zë të lartë:



Hymnin triumfal duke kënduar, duke thirrur, duke grishuar, e duke thënë.

VALLEJA:



I shëntë, i shëntë, i shëntë, Zoti Sabaoth; qielli e dheu është plot prej lavdisë s’ate; Hosanna më të lartat; i bekuar ësht ay që vien më emërin e Zotit; Hosanna ti më të lartat.

PRIFTI, a Diaku, këtu merr Yllthin prej Diskut dhe si bën shënjën e kryqit mi të, e vë mi Mbulesat.

PRIFTI fshehtazi:

Bashkë me këto Fuqira të lumura dhe ne, o Zot njerzidashës, thërresim e thomi: I shëntë dhe i tërëshëntë je Ti, dhe Biri yt i vetëm dhe Shpirti yt Shënt. I shëntë dhe i tërëshëntë je, dhe lavdia jote është madhështore, që e deshe botën tënde aqë, sa të apësh Birin tënt të vetëm, që cilido që beson më të të mos humbasë, po të ketë jetë t’amëshuar; i cili, si erdhi, dhe mbaroj tërë urdhërimin për ne, natën që përipej, ose më mirë përipte veten e tij për jetën e botës, si mori bukë nër duart e tij të shënta, të pacinuara dhe të kulluara, përhiroj e bekoj, shëntëroj dhe e theu, u dha Nxënësve dhe Apostujve të tij të shëntë, duke thënë:

Me zë të lartë:



Merrni, hani; ky është Trupi im; që thyhet për juve, për ndiesë të mëkateve.

VALLEJA:



Amen.

PRIFTI fshehtazi:



Gjith’ ashtu dhe Qelqin pas darkës, duke thënë:

Me zë të lartë:
Pini prej këti të gjithë; ky është Gjaku im i Testamentit të ri, që derdhet për juve dhe për shumë, për ndiesë të mëkateve.

VALLEJA:



Amen.

PRIFTI fshehtazi:



Duke kujtuar pra këtë porosi shpëtimtare dhe tër’ ato që u-bënë për ne, Kryqin, Varrin, Ngjalljen e triditëshme, Ngjitjen nër qiejtë, Ndënjjen më të diathtë, ardhjen përsëri të dytë dhe të lavdëruar, --

Këtu PRIFTI a Diaku kryqëson duart e tij, duke vënë të diathtën mi të mëngjëren, dhe merr me të diathtën Diskun e shëntë, dhe me të mëngjëren Qelqin e shëntë, i tunt kryqthi me vërejtje të madhe, duke thënë me zë të lartë:

Të tuat nga të tuat ty të ‘blatojmë për të mirën e të gjithave dhe për të gjitha.

VALLEJA:



Të hymnojmë, të bekojmë, ty të përhirojmë, o Zot, dhe të lutemi, Perëndia jonë.

Pastaj PRIFTI dhe DIAKU falet tri herë përpara Alltarit të shëntë, duke u-lutur më vete e duke thënë:

O Perëndi, fal-më mua mëkatarë dhe mëshiro-më.

Pastaj DIAKU, duke unjur kryet dhe duke dëftyer me Orarë Bukën e shëntë thotë fshehtazi:

Beko, o Zot, Bukën e shëntë.

PRIFTI ngrihet, shënon Bukën e shëntë dhe thotë fshehtazi:



Dhe bëj-je këtë Bukë, Trupin e çëmuar të Krishtit tënt.

DIAKU:



Amen. Dhe përsëri, duke rrëfyer me Orarë Qelqin e shëntë, thotë:

Beko, o Zot Qelqin e shëntë.

Dhe PRIFTI, si e bekon, thotë:

Dhe atë që është në këtë Qelq, Gjakun e çëmuar të Krishtit tënt, --

DIAKU:



Amen.

Dhe përsëri DIAKU, duke rrëfyer me Orarë që të dyja të shëntat, thotë:

Beko, o Zot, që të dyja bashkë.

PRIFTI, duke bekuar që të dyja, thotë:



Duke i ndryshuar me Shpirtin tënt Shënt, --

Amen. Amen. Amen.

Dhe duke i unjur kryet Priftit, i thotë: Kujto-më, o Zot i shëntë, mua mëkatarë. Qëndron në vëntt ku ishte më parë, dhe, si merr ventaljen, erëson të shëntat si më parë.

PRIFTI fshehtazi:



Që të bëhet për ata që piesëtojnë si esëlli shpirti, si ndiesë mëkatash, si kungim i Shpirtit Shënt, si mbarim i Mbretërisë së qiejve, si guxim përpara teje, jo për gjykim, a për dënim. Edhe të ‘blatojmë këtë adhurim t’arësyshmë për ata që u-prehnë përpara me besë, Stërgjyshër, Atër, Patrikë, Profetër, Apostuj, Lëçitës, Ungjillorë, Dëshmorë, Konfesorë, Ashkëtij dhe për ç’do shpirt që u-mbarua me besë.

PRIFTI me zë të lartë:



Veçan Tërëshënten, të pacinuarën, të përmibekuarën, të lavdëruarën, Zonjën tonë Hyjlindëse, dhe gjithmon-virgjërën Mari.

VALLEJA:



Të ka hie me të vërtetë të të lumërojmë ty Hyjlindësen; gjithmon-të-lumurën dhe të përmikulluarën dhe Mëmën e Perëndisë s’onë; më të nderçimen nga Qerubimet dhe më të lavdëruarën pa përqasje nga Serafimet; që pa u-cinuar linde Fialë-Perëndinë, me të vërtetë Hyjlindësen ty të madhështojmë.

Ose në vënt të kësaj këndohet kënga e IX-të e Zbritësoreve, në qoftë se nonjë e krëmte e madhe. Dhe në qoftë se bëhet Mesh’ e Shën-Basilit, thohet kio:

Më ty gëzohet, o Hirëplote, tërë kriesa, system’ i Ëngjëjve, gjindja e njerësve, o Tempull i shëntëruar, Parrajs’ e arësyshme, mburrje virgjërore, prej së cilës u-mishërua Perëndia dhe u-bë dialë Perëndia jonë që qe para jetëve; se mëmën tënde e bëri fron dhe gjinë tënt e bëri më të gjerë se qiejtë. Më ty gëzohet, o Hirëplote, tëre kriesa; lavdi më ty.

Diaku temianis Alltar’ e shëntë përqark, dhe përkujton Diptyket e të gjallëve dhe të vdekurve që të dojë.

PRIFTI fshehtazi:



Shën Joan, Profet, Parërendës, dhe Pagëzor; Apostujt e shëntë, të lavdëruar dhe emër-shkëlqyer, shënt (aksh të ditës), të cilin po përkujtojmë sot, dhe gjithë Shëntorët e tu, me lutjet e të cilëve vështro-na, o Perëndi. Dhe kujto gjithë të fieturit me shpresë ngjalljeje për jetë t’ameshuar (Dhe kujton ata që do). Dhe preh-i, o Perëndia jonë, atje ku përmiqyr drit’ e faqes s’ate. - Edhe të lutemi: Kujto, o Zot, ç’do Peshkopi Orthodoxësh, që presin drejtërisht fialën e së vërtetës s’ate, gjithë Presbyterinë, Diakonatën më Krisht dhe ç’do Urdhër Priftëror dhe Kllogjëror. - Edhe të ‘blatojmë këtë adhurim t’arësyshmë për Kishën e Shëntë, të Përgjithëshme, dhe Apostollore, për ata që shkojnë jetën e tyre më kullim e nder, për Mbretërit tanë besnikë dhe Krishtdashës, për tërë Pëllasnë dhe Ushtërin’ e tyre. Ep-u, o Zot, mbretëri të paqëshme, që të mundim dhe ne në qetësi të tyre të shkojmë jetë të paqëshme dhe të qetë me besë të mirë e me nder.

PRIFTI me zë të lartë:



Më parë, kujto, o Zot, Kryepeshkopin tonë (aksh), të cilin falj-a’u Kishëravë tënde të shënta, më paqje, shiguri, nder, shëndet, dhe ditë të gjata që të presë drejtërisht fialën e së vërtetës s’ate.

VALLEJA:



Dhe të gjithë e të gjitha.

DIAKU:



Dhe ato që ka cilido nër mënt, e të gjithëve e të gjithave.

VALLEJA:



Amen.

PRIFTI fshehtazi:



Kujto, o Zot, qytetin, më të cilin rrojmë, dhe ç’do qytet e vënt, dhe ata që rrinë nër to me besë. Kujto, o Zot, ata që lundrëzojnë, që udhëtojnë, të sëmurët, të munduarit. Robërit dhe shëllbimin e tyre. Kujto, o Zot, ata që siellin pemë e vepra të mira nër Kishërat e tua të shënta, dhe kujtohen për të varfërit dhe dërgo mi gjithë ne mëshirat e tua.

PRIFTI me zë të lartë:



Dhe ep-na që me një gojë dhe me një zëmër të lavdërojmë e të përhymnojmë emërin tënt të nderçim e madhështor, të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

PRIFTI kthehet te populli dhe, si e bekon, thotë:



Dhe do të jenë mëshirat e Perëndisë së Madhe, dhe të Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht, bashkë me gjith’ ju.

DIAKU del nga Tribuna dhe, si qëndron më vëndin e zakonëshm, thotë:

Të gjithë Shëntorët duke kujtuar, përsëri dhe përsëri me paqje le t’i lutemi Zotit.

Që Perëndia jonë njerzidashëse, që i akseptoj n’Alltar të tij të shëntë, të përmiqiellshëm, e mëndor, si erë fragrance shpirtore, të na dërgojë si çpërblim hirin e perëndishmë, dhe dhuratën e Shpirtit Shënt le t’i lutemi Zotit.

Që të shpëtohemi prej ç’do hidhërimi, mërie, reziku, dhe nevoje, le t’i lutemi Zotit.

PRIFTI fshehtazi:



Te ty konsignojmë tërë jetën tonë dhe shpresën, o Zot njeridashës, e të lutemi e të falemi. Vlerëso-na të piesëtojmë nga Mysteret tënde qiellore dhe të trëmpshime të kësaj Tryese të shëntë dhe shpirtore, me ndërgjegjje të paqme, për ndiesë mëkatash, për falje fajesh, për kungim Shpirti Shënt, për trashëgim Mbretërie qiejsh, për guxim përpara teje, jo për gjykim a për dënim.

DIAKU:



Përkrah-na, shpëto-na, mëshiro-na, dhe ruaj-na, o Perëndi, me hirin tënt.

Ditën të tërë, të mbarë, të shëntë, të paqëshme dhe të pamëkatëshme, le t’i lypim Zotit.

VALLEJA:



Fal-na, o Zot.
Ëngjëll paqjeje... (Shëko më sipër.)
Ndiesë dhe falje...
Të mirat e të dobishmet...
Që të shkojmë kohën...
Mbarim të Krishterë...

Bashkimin e fesë dhe kungimin e Shpirtit Shënt duke lypur, veten tonë dhe njerjatërin, dhe gjithë jetën tonë Krishtit Perëndisë le t’i a pranojmë.

VALLEJA:



Ty, o Zot.

PRIFTI me zë të lartë:



Dhe vlerëso-na, o Zot i Madh, që të guxojmë të përthërresim ty Perëndinë qiellore si Atë faqeza e pa dënim, e të thomi:

POPULLI:



Ati ynë që je ndë qiell, u-shëntëroftë emëri yt; arthtë Mbretëria jote; u-bëftë dëshira jote si ndë qiell edhe mbi dhe; bukën tonë të përditëshme epna-e neve sot; edhe fal-na-i fajet, si kundër edhe ne u a falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer ndë ngasje po shpëto-na nga i ligu.

PRIFTI:



Se jotja është Mbretëria, edhe fuqia, edhe lavdia, e Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

PRIFTI:



Paqje mi ju të gjithë.

VALLEJA:



Dhe me frymën tënde.

DIAKU:



Krerët tona le t’i-a unjim Zotit.

VALLEJA:



Ty, o Zot.

PRIFTI fshehtazi:



Të përhirojmë, o Mbret i padukur, që i krijove të gjitha me fuqinë tënde të panëmëruar dhe i bëre të gjitha të jenë nga e mos-qëna ng shumic’ e mëshirës s’ate. Ti, o Zot, hith synë prej qiejve mi ata që të kanë unjur krerët e tyre; se nuk i u-unjne as mishi as gjaku, po ty Perëndisë së trëmpshime. Ti pra, o Zot, të parëvënat ndreq-i më të mirë për të gjithë ne, pas nevojës së veçantë të cilitdo; lundrëzo bashkë me lundrëzonjësit; udhëto bashkë me udhëtonjësit; shëro-i të sëmurët, o mieku i shpirteve dhe i trupeve tona.

PRIFTI me zë të lartë:



Me hirin, dhe përdëllimet, dhe njerzidashjen e të vetëmit t’yt-Bir, me të cilin je i bekuar, bashkë me tërëshëntin, të mirin, dhe jetëdhënësin Shpirtin tënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

PRIFTI fshehtazi:



Vër-re, o Zot Jesu Krisht Perëndia jonë, prej ndënjjes s’ate të shëntë, dhe prej fronit të lavdëruar të Mbretërisë s’ate, dhe eja të na shëntërosh, ti që rri lart bashkë me Atin, dhe ndodhesh këtu bashkë me ne padukurisht; dhe vlerëso të na kungosh me dorën tënde të pushtetëshme, me Trupin tënt të kulluar, dhe me Gjakun e çëmuar, dhe me anën tonë tërë Popullin.

DIAKU thërret:



Le të vëmë re.

PRIFTI, duke ngritur Bukën e shëntë, thërret:



Të Shëntat të shëntëve.

VALLEJA:



Një ësht i Shëntë, një është Zot, Jesu Krishti për lavdi të Perëndisë Atit. Amen.


Pastaj këndon Kungatoren:



Lavdërojeni Zoti prej qiejve, lavdërojeni më të lartat. Alleluia. Alleluia. Alleluia.

Ose në qoftë nonjë e krëmte, këndohet kungatorja e saj e vaçantë në vënt të kësaj.
Pastaj DIAKU hyn në Shëntëroren, dhe, duke qëndruar më të diathtë të Priftit, thotë:


Copëto, o Zot, Bukën e shëntë.

PRIFTI e copëton më katër piesa me vërejtje dhe reverim dhe thotë:

Copëtohet e piesëtohet Qëngj’ i Perëndisë, i cili copëtohet, po nukë ndahet, i cili hahet gjithënjë, po kurrë nukë soset, po shëntëron ata që e hanë.

Dhe i regullon të katër piesat kryqthi mi Diskun e shëntë kështu:

JS
MU NT
KS


dhe merr piesën që ka JS, bën kryq mi Qelqin e shëntë, duke thënë DIAKU:

Mbush, o Zot, Qelqin e shëntë.

Dhe hedh piesën brënda te Qelqi, duke thënë:



Mbushja e Qelqit, e besës së Shpirtit Shënt.

DIAKU:



Beko, o Zot, ujën e nxehtë.

PRIFTI, duke bekuar, thotë:



E bekuar është nxehtësi’ e Shëntorëve tënt, përgjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

DIAKU, duke derdhur mi Qelqin e shëntë kryqthi, thotë:



Nxehtësi bese, plot me Shpirt Shënt. Amen.

Pastaj PRIFTI a DIAKU këndon këto Urime përpara kungatës:

Përpara dyerve të Tempullit tënt qëndroj, dhe nga mejtimet e frikëshme nuk largohem; po ti, o Krisht Perëndi, që drejtësove kumerqarë, dhe mëshirove Kananejkën, dhe i çele kusarit dyert’ e Parajsës, çel-m’a zëmërën e njerzidashjes s’ate, dhe prit-më që të vinj pranë e të pshtetem, si kurvën dhe Gjakriedhurën; se kio duke prekur anën e robës s’ate, udobisht mori shërimin, dhe ajo, duke mbajtur këmbët e tua të kulluara, mori zgjidhjen e mëkateve. Po unë i ngrati, që guxoj të pres tërë Trupin tënt, të mos digjem, po prit-më, si ato, dhe ndriço-m’i ndjenjësoret e shpirtit, duke diegur krimërat e mia të mëkatës; me nërmjetimet e asaj që lindi pa farë dhe të fuqive qiellore; se je i bekuar më jetët e jetëve. Amen.

Besoj, o Zot, dhe rrëfej, se ti je me të vërtetë Krishti, i Bir’ i Perëndisë së gjallë, që erdhe në botë për të shpëtuar mëkatarët, nga të cilët i pari jam unë. Edhe besoj se ky është vetë Trupi yt i kulluar, dhe ky është vetë Gjaku yt i çëmuar. Të lutem pra: Mëshiro-më, dhe ndje-m’i fajet, të dashura dhe të padashura, me fialë, me punë, me dijë dhe padijë, dhe vlerëso-më të piesëtoj pa dënim Mysteret e tua të kulluara, për ndjesë mëkatash, dhe për jetë t’amëshuar. Amen.

Pastaj këtë Tropar:



Në darkën tënde mystike, o i Bir’ i Perëndisë, merr-më sot piesëtar; se nuk do t’u thom armiqve mysterin, as që do t’të ap puthje, si Juda; po si kusari të rrëfej: Kujto-më, o Zot, kur të vish në Mbretëri tënde.

Pastaj këto Tropare:



Më ngazëllove me mall, o Krisht, dhe më ndryshove me dashurinë tënde të perëndishme; po digj-i mëkatat e mia me ziarr të palëndëshm dhe vlerëso-më të rrafshohem me gezimin te ty, që të madhështoj, duke kërcyer, ardhjet e tua të dyja, o i Mirë.

Nër shkëlqimet e Shëntorëve tënt si do të hyj unë i pavyeri? Se, në guxofsha të hyj bashkë në nusëroren, këmisha më tregon, se s’ësht e dasmës, dhe i lidhur do të nxirem jashtë prej Ëngjëjve. Spastro, o Zot, ndyrësin’ e shpirtit t’im dhe shpëto-më si njerzidashës.

Pastaj këtë Urim:



O Zot, njerzidashës, Zoti Jesu Krisht, Perëndia ime, të mos më bëhen për gjykim këto të Shënta, nga që jam i pavyer, po për paqësim dhe shëntërim shpirti dhe trupi, dhe për vlesim të jetës dhe Mbretërisë për-të-ardhur. Ësht e mirë për mua t’i ngjitem Zotit, dhe të vë te Zoti shpresën e shpëtimit t’im.

Dhe përsëri:



Në darkën tënde mystike...

Pastaj Prifti dhe Diaku ngrihen, ngrenë duartë përpara Tryesës së shëntë, duke u-lutur fshehtazi. Pastaj PRIFTI, duke vajtur të kungojë i thotë Diakut, a bashkëmeshëtarit:

O vëlla dhe bashkëmeshëtar ndje-më mua priftin e pavyer.

Dhe si merr ndjesë thotë tri herë:



O Perëndi, fal-më mua mëkatarë dhe mëshiro-më.

Dhe si u afërohet të Shëntave me frikë, merr një piesë prej Bukës dhe thotë:

Ja ku vij pranë Krishtit, Mbretit të pavdekur dhe Perëndisë s’onë.
Me Trupin e çëmuar dhe tërëshëntë të Zotit, dhe Perëndisë, dhe Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht, kungohem unë (aksh), prifti i pavyer, për ndjesë të mëkateve të mia dhe për jetë t’ameshuar.

Dhe si kungohet thotë: Amen. Pastaj i thotë Diakut:



Diak, eja pranë.

DIAKU afërohet e thotë:



Kungo-më, o Zot, me Trupin e çëmuar dhe tërëshëntë të Zotit, dhe Perëndisë, dhe Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht, mua diakun e pavyer (aksh), për ndiesë të mëkatëve të mia dhe për jetë t’amëshuar.

Dhe si kungohet thotë: Amen. Pastaj i thotë Diakut:



Diak, eja pranë.

DIAKU afërohet e thotë:



Kungo-më, o Zot, me Trupin e çëmuar dhe tërëshëntë të Zotit, dhe Perëndisë, dhe Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht, mua diakun e pavyer (aksh), për ndiesë të mëkateve të mia dhe për jetë t’amëshuar.

PRIFTI i ep një piesë prej Bukës, duke thënë:



Kungohesh ti (aksh) Diak me Trupin e çëmuar...

Gjith’ashtu bëjnë dhe me kungimin e Gjakut të çëmuar.
PRIFTI, si përtryp Bukën, merr mbulesën, dhe e vë nënë miekër, zë me dorën e diathtë Qelqin e shëntë bashkë me mbulesën dhe thotë:


Edhe vij pranë Krishtit, Mbretit të pavdekur dhe Perëndisë s’onë.

Me Gjakun e çëmuar, të shëntë, të kulluar, dhe jetëdhënës të Zotit, dhe Perëndisë, dhe Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht, kungohem unë (aksh), prifti i pavyer, për ndiesë mëkatëve të mia dhe për jetë t’amëshuar.

Pastaj thotë:



Më emërin e Atit, amen, (pi një), dhe të Birit, amen, (dy), dhe të Shpirtit Shënt, amen, (tri); tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amen.

Pastaj fshin Qelqin e shëntë dhe buzët e tij, e puth, duke thënë:



Kio preku buzët e mia, dhe do t’më heqë tërë paudhësitë, e do t’m’i qërojë tërë mëkatat.

Pastaj merr Diskun e shëntë me Sfyngjerë me dorën e mëngjër, dhe me dy gjishtërijt’ e dorës së diathtë vë brënda në Qelq më parë piesat e Trupit të shëntë dhe thotë këto:

Me-qënë-që pamë Ngjalljen e Krishtit... (Shëko në Mëngjest).

Ndriçoh-u, ndriçoh-u, o Jerusalem i ri; se lavdia e Zotit lindi përmi ty. Loj valle tani, dhe ngazëlloh-u, o Sion; dhe Ti, o Hyjlindëse e Kulluar, dëfre më ngjalljen e t’yt-Biri.

O zëri yt i hyjëshm! i dashur! edhe fort i ëmbël! se me të vërtetë u-zotove të jesh bashkë me ne gjer në mbarim të jetës, o Krisht; dhe këtë ankure shpëtimi duke patur ne besnikët, ngazëllohemi.

O Pashka e madhe dhe fort hierore, o Krisht; o urtësi dhe Fialë dhe fuqi e Perëndisë; ep-na të piesëtojmë prej teje më sheshit, te dita e paperënduar e Mbretërisë s’ate.

Nër piesat e shpirteve thotë:



Shpërlaj-i, o Zot, mëkatat e shërbëtorëve tënt që u-përkujtuan këtu me Gjakun tënt të shëntë; me nërmjetimet e Hyjlindëses dhe të gjithë Shëntorëve tënt.

Dhe si e fshin mirë Diskun e shëntë, shkunt dhe mbulesën mirë në Qelq të shëntë, e mbulon me të dhe këndon këtë Urim të fshehtë.

PRIFTI:



Të përhirojmë, o Zot njerzidashës, mirëbërës i shpirteve tona, se dhe më ditën e sotme na vlerësove për Mysteret e tua qiellore dhe të pavdekura. Pre-na-e drejt udhën, pshet-na ne të gjithë me frikën tënde, rua-na-e jetën, shiguro-na-i përçapët, me uratat dhe lutjet e Hyjlindëses së lavdëruar dhe gjithmon-virgjërës Mari dhe të gjithë shëntorëve tënt.

Pastaj i bie Diskut kryqthi me Yllthin që të mbarojë Psalti Kungatoren; DIAKU hap Derën e Bukur, merr prej Priftit Qelqin e shëntë dhe del jashtë duke shëkuar popullin e duke thënë:

Me frikë Perëndie, besë dhe dashuri afërohuni.

Pastaj PRIFTI bekon, duke thënë:



O Perëndi, shpëto popullin tënt, dhe beko trashëgimin tënt.

VALLEJA:



Pamë Dritën e vërtetë, muarmë frymë qiellore; gjetmë Besën e vërtetë, duke i u-falur Trinisë së pandarë; se ajo na shpëtoj.

Pastaj e vë Qelqin e shëntë m’Alltar, dhe si e temianis tri herë thotë fshehtazi:

Ngjit-u mi qiejtë, o Perëndi, dhe lavdia jote mi tërë dhenë. (Tri herë).

Diaku mer prej Priftit Diskun e shëntë me të tierat dhe shkon në Parëvënje dhe i vëndos atje. PRIFTI merr Qelqin e shëntë, duke thënë fshehtazi:

E bekuar është Perëndia jonë, --

Dhe duke shëkuar popullin thërret:



Për gjithmonë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

Dhe shkon në Parëvënje të shëntë, lë Qelqin e shëntë, kthehet n’Alltar, palos Antimensin, dhe DIAKU thotë me zë të lartë përpara korës së Jesu Krishtit:

O të drejtë! passi kunguam Mysteret e hyjëshme, të shënta, të kulluara, të pavdekura, qiellore, jetëbërëse dhe të trëmpshime të Krishtit, siç i ka hie, le t’a përhirojmë Zotin.

VALLEJA:



Mëshiro, o Zot.

Përkrah-na, shpëto-na, mëshiro-na, dhe ruaj-na, o Perëndi, me hirin tënt.

Ditën të tërë të mbarë, të shëntë, të paqëshme dhe të mëkatëshme duke lypur, veten tonë dhe njërja-tërin dhe tërë jetën tonë Krishtit Perëndisë le t’i a pranojmë.

VALLEJA:



Ty, o Zot.

PRIFTI me zë të lartë:



Se ti je shëntërimi ynë, dhe ty të dërgojmë lavdi, Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në letë të jetëve.

VALLEJA:



Amen.

Pastaj merr Ungjillin e shëntë dhe bën kryq përmi Antimensin dhe e lë. Pastaj, duke shëkuar popullin, thotë:

Më paqje le të shkojmë.

DIAKU:



Le t’i lutemi Zotit.

VALLEJA:



Mëshiro, o Zot. (Tri herë). Beko, o Zot i shëntë.

PRIFTI ligjëron me zë të math këtë Urim prapa Ambonit jashtë Tribunës përpara korës së Jesu Krishtit:

O Zot, që bekon ata që të bekojnë, dhe shëntëron ata që kanë besim më ty, shpëto popullin tënt dhe beko trashëgimin tënt; rrafshërin’ e Kishës s’ate ruaj-e, shëntëro ata që dëshërojnë mirhiesin’ e Shtëpisë s’ate. Ti lavdëroj-i për çpërblim me fuqinë tënde të perëndishme dhe mos na lër ne që shpresojmë mi ty. Fal-i paqjen botës s’ate, kishërave të tua, Priftërve, Mbretërve tanë (ose Presidentit, a Perandorit, a Princit), Ushtërisë, dhe gjithë Popullit tënt. Se ç’do dhënje e mirë dhe ç’do dhuratë e mbarë zbret prej teje, Atit të dritërave; dhe ty të dërgojmë lavdi, përhirim, dhe adhurim, Atit, e Birit, edhe Shpirtit Shënt, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

VALLEJA:



Emër’ i Zotit qoft’ i bekuar që tani e gjer më jetë. (Tri herë).

Pastaj PRIFTI hyn në Parëvënje të shëntë dhe këndon fshehtazi këtë Urim:

O Krisht, Perëndia jonë, që je vetë mbushja e Ligjës dhe e Profetëve, që mbushe gjithë urdhërimin Atëror, mbush-i dhe zëmërat tona me gas e ngazëllim, për gjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amen.

DIAKU:



Le t’i lutemi Zotit.

VALLEJA:



Mëshiro, o Zot.

PRIFTI del dhe bekon popullin, duke thënë:



Bekimi dhe mëshir’ e Zotit arthtë mi ju me hirin e tij të perëndishmë dhe njerzidashjen, për gjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve.

Lavdi ty, o Krisht Perëndi, shpresa jonë, lavdi më ty.

POPULLI:



Lavdi. Tani. Mëshiro, o Zot (Tri herë). Beko, o Zot i Shëntë.

PRIFTI bën Përlëshim; në qoftë e Dielë thotë:

Ay që u-ngjall prej së vdekurësh, -- Në mos:

Krishti, Perëndia jonë e vërtetë, me nërmjetimet e Zonjës s’onë së Kulluar, Hyjlindëses dhe gjithmon-virgjërës Mari; me fuqin’ e të çëmuarit dhe Jetëdhënësit kryq; me mprojtjen e Fuqive qiellore të nderçime pa-trup; të nderçimit e të lavdëruarit Profet, Parërendës, dhe Pagëzor Joan; t’Apostujve të lavdëruar dhe emër-shkëlqyer; t’Atërve tanë nërmjet Shëntorët, Mësonjësve Ekumenikë dhe Kryepriftëve, Basilit të Math, Gregorit Theolog, dhe Joan Gojartit, Athanas e Qyrill, Joan Eleimonit, Patrikëve të Alexandrisë, Shën Kollit të Myrave dhe Spyridonit, peshkop të Trimythuntës, çudibërësit; të Dëshmorëve të Mëdhej të shëntë e të shkëlqyer Gjergj Trope-prurësit, Mitër Myrobletit, Theodorëve të Tyronit dhe Stratelatit; të hierodëshmorëve të shëntë e të lavdëruar Haralamp dhe Lefter; të Dëshmorëve të shëntë, të lavdëruar dhe bukurmundës; t’Atit tonë nërmjet Shëntorët Joan Gojartit, kryepeshkop të Konstantinopojës; të shënt (të kishës); t’Atërve tanë Oshënarë dhe Hyjprurës; të Hyjprindërve të shëntë e të drejtë Joaqim dhe Annë; të shënt (të ditës), të cilin po lusim sot; dhe të gjithë Shëntorëve tënt; na mëshiroftë e na shpëtoftë si Perëndi e Mirë, Njerzidashëse dhe Mëshirëplote.

Me uratat e Shënt Atërve tanë, Zoti Jesu Krisht Perëndi, mëshiro-na e shpëto-na. Amen.

VALLEJA:



Amen.

Pas Përlëshimit të math dhe kur ndan ‘Naforën thotë PRIFTI më cilindo:

Bekimi dhe mëshir’ e Zotit arthtë mi ju.

Passi mbarohet ndajtja e Naforës, thotë:



Me hirin e tij të hyjëshm dhe njerzidashjen, për gjithmonë, tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amen.

Pastaj kthehet në Parëvënjen e shëntë Prifti (a Diaku, në ka) për të mbaruar të shëntat, dhe, si mbaron, thotë Përhirimin e Kungatës.