FJALA E MIRË

Përmban shpiegimin e Ungjijëvet të Shenjta të të Djelavet të gjithmotit me nga një fjalim në çdo të Djelë.

_______________


Botohet në dy pjesë.

_______________

PJESA E PARË

Prej DHIMITËR PËRMETIT

ish Drejtor i Seminarit Kombëtar Orthodhoks



Botuar me ndihmat e disa Fjerakëve Besëmirë




TIRANË

Shtypshkronja "DIELLI"

1943


UNGJILLI PARA LARTËSIMIT

Shpjegimi i ungjillit (Joani 3. 13-17)

«Tha Zoti: Asnjë s' është ngjitur në qiell, përveç ay që zbriti prej qiellit, i biri i njëriut që është në qiell.»

Këto fjalë janë një pjesë të bashkfjalimit, që bëri Zoti bashkë me Fariseun Nikodhim, sa i nevojshëm është pagëzimi për shpëtimin e njëriut dhe ajy s' kuptonte, atëhere Jisuj i tha: Në qoftë se ju nuk kuptoni të dheshmet d.m.th. gjërat që bëhen mbi dhe, sikundër është pagëzimi, qyshë do të kuptoni qielloret d.m.th. lindjen t' ime nga Perëndia dhe ati? Ajy që u ngjit në qiell, ay mund të kuptojë ato të Perëndisë. Asnjë tjetër s' është ngjitur në qiell, që të dijë dëshirën e mendimin e Perëndisë dhe t' i zbulojë këto njërzvet për shpëtimin e tyre, përveç një i Biri i Perëndisë, që zbriti nga qielli mbi dhè dhe u mëshirua. Edhe vetëm me hanën e atij mund te njohim të vërtetën dhe dëshirën e Perëndisë dhe të fitojmë shpëtimin.

«Që është në qiell» gjithënjë sikundër edhe mbi dhè sepse edhe kur ishte Krishti mbi dhè si njëri, por si Perëndi ndodhesh gjithnjë në qiell i bashkuar me atin dhe ndodhesh kudo.

«Dhe sikundër Mojsiu lartësoj gjarpërin në shkretëtirë, kështu duhet të lartësohet dhe i biri i njeriut, që kushdo që i beson mos të humbasë, por të ketë jetë të pasosur».

Kur Israilitët duallën nga Egjyptit dhe u ndodhën ne shkretëtirën Edhom, gjarpërinj elmatues i kafshohin dhe vdisnin. Atje pra Mojsiu pas porosisë së Perendisë, nguli një gjarpër të bakërtë, mbi të cilin shkonin të kafshuarit prej gjarprinjvet dhe shpëtonin. Kjo ngjarje symbolizonte lartësimin mbi Kryq të shpëtimtarit, mbi të cilin ne duke mbesuar dhe duke u bindur shpëtojmë nga plagët vdekjeprurëse të mëkatës, që e pruri në botë gjarpri dinak, djalli.

Kësisoj për shpëtimin e botës është nevojë të lartësohet mbi Kryq dhe të vdesë i Biri i Perëndisë, që u mëshirua, që kështu çdo pasuës i tij besnik mos të humbasë, por të shpëtojë dhe të fitojë jetën e amëshuar.

«Kaq e deshi Perëndia botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindur, që kushdo që i beson mos të humbasë, por të ketë jetë të pambaruar».

Kaq shumë e deshi Perëndia botën, sa për shpëtimin t' onë dorëzoi në vdekje, dhe vdekje të tillë, sikurse është vdekja mbi Kryq, Birin e Tij të dashur.

«Sepse nuk e dërgoi Perëndia Birin e Tij në botë që të gjykojë botën, por që të shpëtohet bota me anën e tij».

Nuk e dergoj Perëndia Birin e Tij që të gjykojë dhe të dënojë njërzit mëkatarë, por që të veprojë për shpëtimin e tyre. Sepse gjyqi i botës do të bëhet me ardhjen e dytë të Krishtit. Në ardhjen e parë Krishti erdhi që të lartësojë njërzit me mësimin e Tij Hyjnor dhe kështu duke i besuar të shpëtohen; dhe ardhi i mëshirshëm për të shëruar lëngatat e popullit. Por në ardhjen e dytë do të vijë me lavdin e Tij, si gjykatës për të gjykuar botën.

MËSIME. - Në fjalimin e Tij me Nikodhimin Zoti lëçit kthjelltas se nuk është njëri i thjeshtë, por i Biri i Perëndisë që zbriti nga qielli dhe u bë njëri. Si i tillë Krishti është Mësuesi i Math i së vërtetës, që na zbulon dëshirën e Perëndisë dhe na udhëheq pa gabim në shpëtimin e përgjithshëm. Po t' i pasojmë Atij me besatari, pasojmë të vërtetën, ecim në dritë, marshojmë udhën e shpëtimit dhe të jetës.

Judhenjtë në shkretëtirë i shpëtoj nga gjarprinjt gjarpëri i bakërtë, që ishte ngulur mbi dru. Por gjithë botën shpëton nga mëkata dhe nga gjarpri dinak, nga djalli, Zoti Krisht, i cili u mvarr mbi Kryq si keqbërës. Ay mori përsipër dhe mbajti mëkatat t' ona. Ay mveshi natyrën mëkatore të njëriut, sado që ishte i shënjtë, dhe u-bë mallkim për neve.

Në qoftë se Perëndia pranoi, që të dorëzojë Birin e Tij, për neve në vdekje; dhe vdekje Kryqi, nga kjo kuptojmë dashurinë e pa treguar të Perëndisë për ne njërzit. Ma e madhe dhe ma e kjartë provë e dashurisë hyjnore për ne as gjëndet as mund të gjendet.

Sado që Perëndia dorëzoi Birin e Tij për shpëtimin e gjithë botës me gjith këtë nuk shpëtohen gjithë njërzit. Shpëtohen vetëm ata, që shikojnë me besë te i Biri i Perëndisë. Perëndia është e mirë, por është edhe e drejtë. Në qoftë se në mirësin e Tij, na jep mjetin e shpëtimit me anën e Birit të Tij, por në drejtësin e Tij shpëton vetëm ata, që tregojnë me veprat e tyre besën e duhur dhe mirnjohtësin te shpëtimtari i Biri i Perëndisë.

Për ata që besojnë është rezervuar jetë e lumtur. Për ata që nuk besojnë tek i Biri i Perëndisë është ruajtur humbjee dhe denim i përjetshëm. Janë fjatorë, se nuk ç' muan dashurinë e patreguar të Perëndisë, dhe nuk përituanë që të shpëtojnë me hanën e Shpëtimtarit Krishtin. Sepse Zoti nuk është vetëm shpëtimtar, por edhe gjykatës.

Shpëtimtari i tërmirë për ata që besojnë dhe pendohen; gjykatës i drejtë dhe i frikshëm, për ata që qëndrojnë në pabesi dhe në mëkatë.


E DJELË PARA LARTËSIMIT

FJALIM: Për Dashurin e Perëndisë

"Kaq deshi Perëndia botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlinder, që kushdo që i beson mos të humbasë, por të ketë jetë të përjetëshme",

Le të thonë ç' të duanë materialistët dhe adhuronjësit e trupit për të zhustifikuar jetën e tyre mëkatare dhe të çregulluar le të mohojnë të pabesët besën e përbotëshme te Perendia e te shpirti. Me gjithë këto mohime është e sigurtë, se brënda në thellësirat e njëriut fshihet shpirti një shpirt i pavdekshëm dhe qiellor, i cili e fisnikon, e inspiron dhe e udhëheq njërin në udhën e qytetërimit dhe përparimit, dhe i cili e lartëson njërinë në sferat ètherore dhe e shtynë në vepra fisnike dhe heroike të vetmohimit dhe kështu e tregon njerin bir Perëndie dhe trashëgimtar të mbretëris qiellore.

Për qënien e shpirtit dhe për vlerën e tij e tha vet goja e së vërtetës në Ungjillin e sotshëm «kaq e deshi Perendija botën, sa dha Birin Tij të vetëm lindur». Këtu nuk flet vetëm për shpirtin, që ekziston, por thekson edhe për vlerën e tij të çmuëshme, sa dërgoi edhe të Birin e Tij të vetëmlindur për shpëtimin e tij. Këjo tregon dashurinë pamasë të Perëndisë për njërzit.

1) Me të vërtetë cilin dha Perendia? Dha Birin e Tij të vetëmlindur Perendija kishte me mijera Kryeenjej dhe engjej, të cilit rinin përpara fronit të madhëris së Tij me shënjtëri, me dashuri, me fuqi të çuditshme dhe të cilët ishin gati të vinin për shpëtimin t' onë. Por nuk, dërgojë ëngjejt, por dërgon të Birin e Tij të dashur, që e lindi përpara jetëvet dhe i cili ishte bashkë me Atë i bashkuar dhe i pandarë. Sado që i Biri i Tij ishte Zoti, përpara të cilit gjunjëzojnë Qeruvimet dhe Serafimet dhe të gjitha fuqit qiellore Sado që i Biri i Tij është Ay, prej të cilit u krijua bota. Perëndija për dashurinë e njërzvet dërgoi Birin e Tij të dashur, sikundër e quajtën në Jordhan dhe në Thavor, «Ky është biri im i dashur që unë e pëlqeva».

2) Dhe qysh e dha? jo në nderje dhe në lavdi; e dha në përbuzje, në dhëmbje, në vdekje; vdekje Kryqi, që ishte më e ashpër dhe e çndershme. Le të mendojmë ç' ishte Krishti dhe si njëri dhe ç' vuajti lart mbi Kryq, që të kuptojmë në sa ka metro për të matur dashurinë e Perëndisë. Ç' isht me të vërtetë Krishti si njëri? Ishte i shënjti i shënjëtorvet, Jisuj i pamëkatëshmi, «i cili nuk bëri mëkatë dhe në gojën e tij nuk u gjënd dinakëri», i cili «e shkoi jetën e tij duke bërë të mira dhe duke shëruar lëngatat e popullit». Ay i cili ruajti gjithë drejtësinë dhe gjitha porosit e Atit të tij, në mënyrë që «virtuti i tij të mbulojë qiejt» dhe të dashur ta quaj ati i tij qiellor. Ç' nderje dhe lavdi i kishte hije? Me gjith këtë ati i tij e la mbi dhè të vobekt, të shkretë, e la të vdesë vdekje të frikëshme mbi Kryq me pështytje dhe shuplaka, me fymje dhe katarash. Nuk e la, por e dërgoi vetë dhe e dorëzoi te vdesë Biri i Tij i Tërshënjtë.

3) Dhe qër cilët e dorëzoi? E dorëzoi për botën, jo për të drejtët dhe besëmirët. Kur thotë botën, kupton botën mëkatore, njërzit të mëkatë dhe të gënjeshtrës. Edhe të tillë ishin të gjith njërzit, jo të bindur e të disiplinuar, sikurse ishte Biri i Tij, por të larguar nga nomi, të liq, fajtorë dhe mëkatorë, me të vërtet armiq të Perëndisë dhe bij të zëmëratës dhe të mallkimit. Me gjith këtë Perëndia, për njërzit mëkatarë për armiqt e tij, që e fyenin ditë e natë në tër jetën e tyre, sakrifikoi Birin e Tij të vetëmlindur, që të shperblehen me gjakun e tij të çmuarë dhe të gjejnë ndjesë të mëkatave të tyre. Cili njëri ndonjëherë, sado njëridashës qoftë, do të bënte të tillë sakrificë? Dhe cili at do therorizonte djalin e tij të dashur për njërës keqbërës dhe kriminelë? Shkronja e shënjtë thotë, që Abrahami pranoi me bindje dhe kënaqësi që therorizoj djalin e tij Isaakun. Por e bëri për hatër të Perëndisë, i cili i a dha dhe për të cilin çdo sakrificë ka hije. Por për armiq nuk ësht sakrifikuar kurrë asndonjë njëri. Vetëm Perëndia e bëri këtë gjë, sepse Ay ndjen dashuri të pamasë për njerzit, qofshin mëkatarë.

Për këtë me admirim Shën Pavli thotë, «Na rekomandon dashurin e Tij Perëndia tek ne, sepse me gjith që ishim mekatarë, Krishti për ne vdiq».

4) Qëllimin për të cilin e dërgoi të Birin e Tij. Edhe këtë e shtoi Shpëtimtari në Ungjillin e sotshëm. «Që kushdo që i beson, mos të humbasë por të ketë jetë të përjetëshme». Njërzit ishin të humbur dhe të larguar nga Perëndia dhe s' kishin prehje e gëzim dhe shpirti i tyre ishte i vdekur ndën zëmërat e drejtë të Perëndisë. Por mëshira e pa kufizuarë e Perëndisë na shpëtoi me gjakun e Birit të Tij, që e pranoi për shpagim të mëkatës stërgjyshore. Na dhuroi jetën, po jo këtë jetë të përkohëshme por jetën qiellore, ku nuk është «as dhimbje as hidhërim, as fsherëtim» por vetëm gëzim afër Perëndisë, vetëm nderje dhe lavdi midis ëngjejvet.

Vllezër të dashur. Këto ditë do të kemi përpara Kryqin e Zotit t' onë Jisu Krishtit të gjakosur, dhe do té dëgjojmë Ungjillin e Shënjte të na tregojë prapë pësimet e frikëshme dhe vdekjen jetëdhënëse të Shpëtimtarit t' onë që vërtetojnë dashurinë e pakufishme për ne. Mos të mbetemi të pa mallngjyerë përpara kësaj dashurije, por të kemi besë dhe dashuri, sepse këto kërkone Perëndija prej nesh. Besë të nxehtë dhe dashuri të gjallë, që e sjellin njerin në pendim dhe e udhëheqin në shënjtëri. Po ku ti gjejmë në kët, në qoftë se nuk na i dhuron Ay vetë?

O At qiellor! Zoti i mëshiravet dhe Perëndia e Dashurisë! Dhuro-na besë të nxehtë dhe të patundur te Biri i Yt, që u kryqëzua për ne. Bëj-na që të duam Ty me gjithë zëmër, sikurse ti na dashurove, dhe t' a tregojmë dashurinë t' onë me një pendim të sinqertë dhe me një jetë të virtutëshme. Po, jep-na këtë besë, që të gjejmë shpëtim dhe jetë të përjetëshme pranë lavdis S' ATE të pavdekëshme. AMIN.


LARTËSIMI I KRYQIT JETËDHËNËS
I SHPËTIMTARIT ZOTIT T'ONË JISU KRISHT

(Më 11 Shtator)

Në Jerusalem Shën Elena, e ëma e Shën Kostandinit Math, vajti në vitin 326 që të falet në Vëndet e Shenjta dhe të falnderoj atje Perëndinë për triumfet, që dëgnoi të kurorëzojë luftërat dhe veprat e birit të saj. me gjith që ishte 80 vjeçë Augusta, e shpirtëzuar me zell hyjnor, zhvilloi aktivitet të çuditshëm.

Mbasi ndërtoi shumë Kisha, deshi të plotësoj dëshirën e shënjtë, të zbuloj Golgothan, për të cilën interes të math ndjente dhe imperatori i biri saj. Ajo bregore, e cila u shënjtërua me gjakun e çmushëm të shpëtimtarit t' onë, ishte bërë akoma nga shekulli i I vënd falje adhurimi i besnikvet. Imperatori Adrianoj duke kundërvepruar për këtë tërheqje që kishte Golgothaj, vëndosi ta fshehë, dhe ndërtoj mbi atë në vitin 136 pas Kr. një Kishë te Afrodhitës; pandehu se kështu do të zhdukte dhe kuptimin e këtij vëndi të pavdekshëm. Po kjo gjë shkaktoi pikërisht përjetësimin e tij, se kështu me gjithë gërmimet që u bënë në tokën dhe në vëndet e Jerusalemit, mbeti vëndi i caktuar. Kisha idhololatrike ishte dishmi e pa gënjeshtërt e vëndit.

Kështu Shën Elena zbuloi Golgothan duke liruar atë nga çdo gjurmë pagane, që ishte afierosur në perëndeshën e dëshiravat të trupit me kundërshtim me spiritën e qartësis dhe vetmohimit, që përhapi në botë Ay, i cili sakrifikoj jetën e Tij, për çlirimin e njërzimit nga zgjedhja e mëkatit. Në punërat që bëheshin për këtë qëllim, ku ndodhej shumë herë vetë Shën Elena, u gjendën të thellosur tre Kryqe. Kjartas dy Kryqe ishin, që mbajtën trupat e kusarvet të bashkëkryqëzuar nga çdo hanë me atë. I treti ishte Kryqi, që u shënjtërua me gjakun e Shënjtë të Shpëtimtarit. Njohjtje e Kryqit ishte forma e tij e veçantë me një copë dru e dalë në majë, ku u ngjit mbishkresa I.N.B.I. romanisht, greqisht dhe ebraisht. Por kjo e dalë në majë nuk u gjend, se duhesh të çfaqesh vërtetimi në mënyrë më panigjyrike, dhe më e sigurtë. Ishte e sëmurë një zonjë shumë fisnike besëmirë, për të cilën mjekët s' kishin shpresë shpëtimi. Shën Elena dhe Episkopi i atëhershëm i Jerusalemit Makarios me shum priftër dhe parësin Krishtere e prekë të sëmurën, gati për vdekje, me çdo Kryq. Dhe çfaqja u bë Panigjyrike. Porsa e preku Kryqi i Zotit në fund, zonja u shërua. "Pas një tradite tjetër gruaja kishte vdekur dhe Kryqi i Zotit e ngjalli. Ose njërën, ose tjetrën të pranojmë vepërimi çudibërës mbetet i pamohushëm."

Lajmi i përhapur at çast në gjithë Jerusalemin dhe në rethet shkaktoi enthusiazëm dhe mbledhje të madhe besnikësh, që digjeshin prej dëshire të afroheshin dhe të shikojnë Kryqin e çmuëshëm. Por padurimi ishte i papërmbajtur. Kushdo luftonte t' ia shkonte tjetrit dhe me grumbullimin e asaj turme u bënë shumë fatkeqësira. Atëhere u vëndosë që të bëhet një ceremoni në Kishë, të vihet në atë një vënd i lartë, mbi të cilin të tregohet Kryqi, që t' a shikojnë bensikët dhe t' a adhurojnë. Episkopi Makarios e tregoj që nga lartësija në turmën e mbledhur të besnikëve Kryqin e çmushëm. Për kujtim të kësaj ngjarje u caktua prej Kishës e kremtja e Lartësimit të Kryqit jetëdhënës më 14 Shtator.

Një pjesë të Kryqit të Shënjtëruar e pruri Shën Elena në Kostandinopojë te Kostandini i Math, bashkë edhe peronat, me të cilat ishte ngulur trupi i Shpëtimtarit t' onë. Një nga këto perona e nguli në periqefalen e tij Imperatori besëmirë, i lumtur se s shkëlqeu atë me këtë thesar të çmushëm, si trope të paluftuarshme kundër armiqve.

Imperatori Kostandini i Math u gëzua tepër për gjetjen e Kryqit jetëdhënës të Zotit dhe Shpëtimtarin t' onë Jisu Krishtit dhe urdhëroj të ndërtohet mbi varrin e Krishtit një Kishë madhështore që u quajt Kisha e ngjalles.


E DJELË PAS LARTËSIMIT

Shpjegimi i Ungjillit (Mark 8.34-38 dhe 9.1)

"Tha Zoti. Kush do që të më aij prapa, le të mohojë vehten e tij, le të ngrerë Kryqin e Tij dha le të më pasojë".

Nuk shtrëngon, sado që e ka fuqin, as urdhëron, sado që e ka pushtetin, por e lë çdo neri në dashjen e tij. Vetëm thërret, sepse si njëridashës dëshiron shpëtimin e të gjithvet. Prandaj thotë, kush dëshëron që të vijë "prapa meje" d.m.th. të bëhet nxënesi i im dhe të imitojë veprat e mija, ay është nevojë të bëjë tre gjëra: të mohojë vehten, të ngrerë Kryqin e vet dhe të më pasojë.

Vehtja jonë është ajo që e quan Apostol Pavli njëri i vjetër i mëkatës. Këtë pra njëri të vjetër të mëkatës duhet t' a mohojmë, kur largohemi nga dëshirat e liga të trupit dhe përbuzim të gjitha veprat që janë në kundërshtim me porosit e Krishtit.

Kryqi simbolizon të parën vdekësimin e mëkatës sepse vdiq mbi Kryq Krishti, për të vdekësuar dhe për të shdukur mëkatën e botës. Të dytën Krishti simbolizon shtërngimet dhe vuajtjet. Pra të ngrerë Kryqin e vet do të thotë, le të vdekësoj në shpirtin e tij çdo dëshirë të ligë dhe çdo prirje për të ligën dhe le të jetë gati për çdo shtërngim dhe për vdekje qoftë, për besën dhe për dashurin e Krishtit.

I pasojmë Krishtit, kur imitojmë veprat e Tij.

Për të vajtur pra "prapa Krishtit duhen tre gjëra: të urrejmë mëkatën, të vdekësojmë pasionet dhe të imitojmë veprat e Krishtit."

"Ay që do; të shpëtojë shpirtin e tij, do t' a humbasë; dhe kush do të humbasë shpirtin e tij për mua dhe për Ungjillin, ay do t' a shpëtoj atë."

Shpirt kupton këtu jetën. Kush midis reziqevet do të mohojë Krishtin për të shpëtuar jetën e tij, ay do t' a humbasë për jetë, sepse do të vejë për në vëndin e dënimit të përjetshem. Kurse ay që do të therorizoj jetën e tij për Krishtin dhe për Ungjillin e tij ay do të rroj për jetë me lavdi në mbretërin e qiellit. Kjo u plotësua në kohën e ndjekjevet, kur martyrët derdhën gjakun e tyre për të mos mohuar Krishtin dhe kështu fituan kurorën e martirizimit dhe lavdinë në qiell pranë Perëndisë.

"Sepse ç' dobi do të ketë njeriu, edhe sikur të fitojë tërë botën dhe dëmton shpirtin e tij"? Dhe ç' do të japë njeriu çpagim të shpirtit të tij"?

Përgjigja në këto dy pyetje është asgjë. Edhe sikur të fitojë ndonjë gjithë botën, fitimi ësht i kotë dhe pa ndonjë vlerë, kur puna është që të humbasë shpirtin e tij të pavdekshëm.

"Sepse ay që do të turpërohet për mua dhe për fjalët e mia në këtë bres kurvar dhe mëkatar, dhe i biri i njeriut do t' a turpëroj, kur të vijë në lavdi te Atit tij bashkë me engjejt e shenjte."

Atë që do të ket turp që të duket përpara botës, se është nxënësi im dhe pason fjalët e mija, dhe unë do t' a turpëroj përpara Atit t' im. Bres kurvar, quan njërzit e mëkatës, të cilët mohojnë Krishtin dhe i shërbejnë dëshiravet të djallit, sikunder një grua kurvare të burrin e saj legal dhe vete prapa të huajvet.

"Edhe u thoshte atyre, me të vërtet po ju them, që janë disa këtu, që nuk do të gjërojnë vdekje, deri sa të shikojnë mbretërin e Perëndis ardhur në fuqi."

Zoti Krisht me fjalët: Disa që ndodhen këtu, kuëton apostojt, të cilët përpara vdekjes tyre, ditën e pentikostis, do të shohin qysh Krishti ka për të themeluar Kishën e tij me lavdi dhe me fuqi hyjnore:

MËSIME. - "Kush do", Nuk shtrëngon asnjë Zoti i gjithpushtetshëm. Thëret nën flamurin e së vërtetës së tij, ata që duhan të vërtetën. Punon si nxënës, ata që duhanë të plotësojnë porosit e Ungjillit Tij. Asnjë nuk mbanë pranë Tij pa dashjen e vet.

Në qoftë se duham të vemi prapa Krishtit d.m.th. të jemi të Krishterë me të vërtet, duhet të plotësojmë konditat, që na vë. Këto janë: të mohojmë vehten t' onë mëkatare. Të luftojmë pa pushim kundër mëkatës dhe pasionevet të jemi gjithnjë gati në shtërngime dhe në vdekje për emrin e Krishtit dhe të imitojmë sa të jetë e mundur shëmbullën e tij. Kush pandehë se i pasonë Krishtit pa ruajtur këto kondita, gjendet në gabim të plotë.

Do që të sigurosh jetën e përjetëshme? Duhet të jesh gati të therorizohesh çdo të mirë të dheshme edhe, në është nevojë, edhe jetën t' ënde për dashurin e Krishtit. Në qoftë se për Atë sakrifikon të gjitha, fitonë kështu për jetë mbretërin e Perëndisë.

Për njerinë ska asgje më të çmushme se shpirti i tij. Edhe të gjitha të mirat e botës nuk barazohen me vleftën e shpirtit të pavdekshëm. Mos tadhëto, o njeri, thesarin tënd të pa çmushëm për të mira lëndore dhe të përkohëshme.

Për ne Biri i Perëndisë nuk u turpërua të bëhet njëri dhe të varret mbi kryq, si keqbërës. Edhe ne shërbëtorët e Tij të pa vlefshëm turpërohemi të dukemi përpara njerësvet, se adhurojmë emrin e Tij. Ka marrëzi dhe mosmirënjohtësi më e madhe nga kjo? Njërës të tille nuk vlerësohen të hyjnë në lavdin e Krishtit.


E DJELË PAS LARTËSIMIT

FJALIM: për hidhërimit në botë dhe për vleftën e shpirtin

"Kush do, që të më vijë prapa, le të mohojë vehten e tij, dhe le të ncrerë Kryqin e tij dhe le të më pasojë",

Zëri i Krishtit tingëllon qysh prej shekujsh nër zëmrat e njërzvet dhe zgjonë ndjenat më të ëmbla dhe vëndimet më të bukura. Asnjë rrugë s' është aq e bukur, sa rruga e Tij dhe asnjë ftesë s' është aq zyrtare, sa ftesa e Tij. Mbretërit urdhërojnë ushtarët që ti pasojnë, por Ay fton dhe nuk urdhëron asnjë, vetëm kërkon që aji i cili dëshironë t' i vejë pas pikë së pari do të mohojë vet-vehten.

Të mohojmë vall shtëpin t' onë, njerzit t' anë dhe çdo gjë që kemi të dashur në këtë botë? Jo, aspak. Do të mohojmë vehten t' onë mëkatarë, d.m.th. çdo gjë që na lidhë me jetën e mekatit, çdo send që na largon prej Zotit. Do të hedhim tej mëkatin, siç hedhim tej robën e vjetër për të veshur një të re dhe të pastër. O! sa a bukurë është kjo këshille e Krishtit: "le të mohojmë vet-vehten". Jeta e mekatit është një jetë e mjerë. Mundet për një moment t' a gënjejë njërinë me premtimin e lumturisë, por e hethë më vonë në baltë.

Por kjo s' ashtë e mjaftë, që njeriu i cili dëshironë të pasojë Krishtin, të mohojë vet-vehten, të pastrojë zëmrën nga çdo ligësi dhe të mveshnjë roben e bardhë të jetës Krishtërore.

Krishti e këshillonë njerinë që të ngrerë edhe një kryq; "dhe le të ngrerë Kryqin e vet dhe le të më pasojë". Është Kryqi i dhëmbjes, i shtërngimevet, i hidhërimevet. Kurrë s' ka rojtur njëri në botë pa provuar hidhërime. Jeta e njeriut është e shoqëruar me vuajte, vobegsi, mjerime, intriga, ndjekje, sëmundje, vdekje. Kush ka ikur nga kjo botë pa marrë plagë? Do t' a kërcënojnë të Krishterin dallgat e jetës. Por it krishteri do të ndjekë rrugën e ngushtë dhe të përpjetë të të drejtëvet e të shënjtorvet, në krye e të cilvet qëndron i kryqëzuari. Mirë por pas Kryqit të Golgotha vjenë triumfi i ngjalles. Ata që do të provojnë vuajtjet e hidhura të jetës dhe do të ngjiten bashkë me atë në Golgotan e dhimbjes, dhe do të gëzojnë dhe triumfin e ngjalljes dhe shpëtimin e shpirtëvet të tyre.

Sepse vlera e shpirtit është e paçmuëshme. Këtë na e thotë Zoti në Ungjillin e sotshëm: "çdobi do të këtë njeriu, edhe sikur të fitojë gjith botën dhe humbet shpiritn e tij?" Fituam shpirtin: fituam të gjitha, humbëm shpirtin t' onë, humbëm të gjitha.

Shpirti i ynë është i paçmuarshëm, se është i pavdekshëm.

Shpirti i njeriut me dhurata hyjnore: me llogjikën, lirinë, mëndjen fjalën e tjera, si korë edhe frymën e Perëndisë, që e bëjnë njërin mbretin e gjithësis. Por nga të gjitha këto dhurata pavdekësija është dhurata më e vlerëshme e shpirtit.

Shikoni çbëhet përqark nesh. Gjithë bota thahet e çduket. Çduken të mirat lëndore; madhështija dhe lavdija, gëzimet dhe dëfrimet. Trupi i ynë vdesë dhe ndryshohet në ushqimin e krimbavet dhe në ndyrësirë. Kështu tregohet që në botë të gjitha janë pluhur dhe hije, vetëm nje pasje mbetet e patundur, shpirti i ynë i pavdekshëm. Nuk vdes, sado që vdekja e ndanë nga trupi. Shpirti ronë edhe përtej varrit, rron i pavdekshëm dhe i perjetshëm. Shpirti pra vlen, sa nuk vlejnë gjithë thesarët e botës, si thotë shpëtimtari i ynë, "çdobi do të ketë njeriu, edhe sikur të fitojë gjithë botën dhe humbet shpirtin e tij".

Të krishterë! ç' gjëra na tërheqin dhe na kënaqin në botë? Pasja, bukurija, dëfrime trupore. Jemi pa mënd, se këto nuk janë thesarë të vërteta. Për ne një thesar është i vyer, shpirti i yne i pavdekshëm.

Të përkujdesemi për shpirtin t' onë t' a edukojmë dhe t' a shpëtojmë. Do t' a shpëtojmë kur largohemi nga mekata, kur e dërgojmë në hirin dhe në mëshirën e Krishtit, i cili është shpëtimtari i shpirteve t' ona.


E DJELË (18) PAS LUKAJT I

Shpjegim i Ungjillit (Lluk. 5. 1-11)

"Në atë kohë duke ndënjur lisuj pranë liqenit Gjenisaret, pa dy lundra që rinin pranë buzës së liqenit. Peshkatarët kishin dalë nga ato dhe lamin rrjetat. Edhe ay hyri mbë njërën nga ato, mb' atë që ishte e Simonit, edhe i u lut atij të largonej pak prej tokës. Edhe si ndënji mësonte gjindjen nga lundra".

Kjo histori që tregohet këtu, u bë përpara se Apostojt të bëhen nxënësit e Krishtit. Në liqen të Gjenisaretit, që quhet dhe deti i Tiberiades, ishin dy lundra, njëra ishte e Simon Pjetrit dhe tjetra e Jakovit dhe Joanit, bijt e Zevedheut. Pa dhe peshkatarët, që kishin dalë nga lundrat dhe po lanin rrjetat.

Zoti i lutet Pjetrit, që t' a largojë lundrën pak nga toka, sepse kishte ardhur një shumicë e madhe njerëzish për të ndëgjuar mësimin e Tij hyjnor dhe e strëngonin.

"Edhe si pushoi suke folur, i tha Simonit, sill lundrën ndë ujërat të thella edhe hithni rrjetat t' uaj për peshkim. Edhe Simoni u përgjegj e i tha, Mesonjës, gjithë natën u munduamë edhe nuku zumë gje; por për fjalën t' ënde do të heth rrjetën".

Mbasi mbaroi Krishti mësimin e Tij, i thotë Pjetrit. Shpjere lundrën në një vend të thellë të liqenit dhe hap rrjetat për të peshkuar. Kjo tregon, që më parë duhet të mbarojmë punët e Perëndisë, pastaj të kujdesemi dhe për nevojat e trupit. Pjetri i thotë Krishtit, Mësuës, u munduamë gjithë natën, që është koha e përshtatëshme për peshkim, dhe nuk zumë asnjë, por duke u bindur n' urdhërin t' ënd, do të heth rrjetat. Pjetri tregon nderim dhe bindje të lavdëruarshme në urdhërat e Krishtit, sado që s' ishte akoma nxënës i Tij.

"Edhe si bënë këtë, mbyllinë brënda një shumicë të madhe pishqesh edhe rrjeta e atyrve po çirej. Edhe u bënë me shënjë shokëvet që ishin në lundrën tjetër, që të vinin e t' u ndihnin. Edhe ata erdhën, edhe mbushën të dy lundrat, kaqë, sa ato zunë të fundosëshin. Edhe Simon Pjetri, kur pa, ra ndër gjunjët të Jisujt, duke thënë. Dil prej meje, Zot, sepse jam njeri fajtuer".

Kur pa Pjetri shumicën e peshqevet, thërriti shokët e tij, të bijt e Zevedheut, të cilët ishin në lundrën tjetër. Ata erdhën për ndihmë dhe mbashën që të dy lundrat me peshqe aqë plotë, sa po fundoseshin lundrat. E kuptoi Pjetri, se ky peshkim kaq i pasur, u shkaktua nga bekimi i Krishtit. Dhe duke kuptuar nga kjo çudi, se Krishti nuk është njeri i thjeshtë, i ra ndër gjunjët duke i thënë. Zot, dil nga lundra e ime, sepse jam njeri mekatar dhe s' jam i vyer të të kem në lundrën t' ime.

"Sepse habijte e pushtoi atë edhe ata që ishin bashkë me atë, për gjahun e peshqevet që zunë. Gjithashtu edhe Jakovin e Jovanin, të bijt e Zevedheut, të cilët ishin shokë të Simonit. Mos ki frikë, se paskëtaj do të gjuanç njerës. Edhe si suallën lundrat mbë tokët, i lanë të gjitha edhe vanë prapa atij."

Pjetri u habit për atë peshkim të jashtzakonshëm. Por gjithashtu u çuditën dhe Jakovi e Joani, bijt e Zevedheut. Krishti i thotë Pjetrit, mos ki frikë, sepse tash e tutje do të peshkoç njerës, d.m.th. do të bënj apostoll t' im për të peshkuar njerës, të cilët do t' i nxjersh nga errësira e mëkatës dhe do t' i udhëheqësh në të vërtetën dhe në dritën e virtutit.

Nxuarën lundëat në tokë, i lanë të gjitha sa kishin dhe i vajtën prapa Shpëtimtarit.

MËSIME. - Peshkatari i Math i shpirtevet vjen tek peshkatarët e peshqevet dhe hap rrjetat e Tij, predikimin e fjalës hyjnore. Nuk përdor ndonjë dinakëri për të tërhequr shpirtet në rrjetat e Tij. Në vend të dinakërisë përdor dashurin dhe në vend të forcës përdor bindjen. Kërkon të tërheqë lirisht ate që duanë në rrjetat e Tij dhe t' i u dhurojë të vërtetën, dritën, jetën. Sa shpëtimtare janë rrjetat e Zotit, t' onë Jisu Krishtit.

Mundimet e një nate të tërë kishin mbetur të padobishme për Pjetrin dhe shokët e tij. Prandaj Pjetri dyshon nashti dhe nuk është i gatishëm për të hedhur prapë rrjetat në det. Por me udhërin e Mësonjësit hyjnor vendosi që të provojë prapë. Me të vërtetë shumë herë puna e çdo njeriu mbetet e pafrytëshme dhe pa ndonjë përfundim të mirë. Mundohemi dhe punojmë, por nuk fitojmë. Mundet që mos suksesi të jetë, që të provohet besa e jonë. Mos u dëshpëro pra, o i krishterë, as mos thuaj si Pjetri, se u mundova më të kotë. Hudhi prapë rrjetat e tua; përsërit prapë punën t' ënde duke pasur shpresën tek Zoti, i cili është njeridashës dhe i gjithpushtetshëm.

Çudi e madhe! Atë që nuk fitoj Pjetri për gjithë natën, e fitoi në një orë! Mësoi Pjetri dhe shokët e tij, mësojmë dhe ne, se në çdo punë është i domosdoshëm bekimi i Perëndisë. Ku është bekimi i Perëndisë, atje dhe puna e pakët është e mjaftë që të japë prodhime të kënaqëshme.

Shpirt i përulët Pjetri, jo vetëm nuk kryenaltësohet nga çudija e peshkimit, por ahere më tepër kujtohet, se është njeri mekatar. Prandaj i lutet Shpëtimtarit, që të dalë nga lundra e tij, duke ndjerë, se nuk është i vjer të ketë pranë Mësuesin hyjnor. Të tillë janë ata, që kanë përulësi shpirti. Sa më tepër mirësira marin nga Perëndia aqë më tepër përulen dhe kështu tërheqin dashurin e Tij.

Në atë kohë që Pjetri dhe shokët e tij zunë në rrjetat e tyre shumicën e peshqevet, u zunë dhe vetë në rrjeshtat e Krishtit. Mbasi ndëgjuanë mësimin hyjnor dhe mbasi panë provën e fuqis së Tij hyjnore, lanë me kënaqësi punën dhe dorëzohen me gjithë shpirt tek Shpëtimtari Krishti. Nga ajo minutë marin përsipër punën e madhe të peshkatarit të shpirtëvet.


E DJELË (18) PAS LUKAJT

FJALIM: për punën sipas porosis së Perëndisë

"Dhe mbasi hodhën rrjetat, zunë një shumicë të madhe peshqesh".

Në qoftë se e quajmë Ungjillin burim dhogmash jo vetëm fetare, por edhe shoqërore (sociale), familjare dhe private, nuk do të themi ypërboli d.m.th. një gjë shumë të madhuar.

Ja pjesa e Ungjillit të sotshëm na paraqit mësime serioze dhe shumë interesante në detyrën e punës. E tërë pjesa qysh në fillim deri në mbarim tregon punë dhe imponon detyrën e punës. Punon Krishti duke mësuar dhe duke këshilluar turmën e njerëzvet. Punojnë Apostojt duke hedhur rrjetat në det. Më parë punojnë Apostojt pa Krishtin dhe, sado që mundohen tërë natën, puna e tyre del pa sukses. Punojnë pastaj bashkë me Krishtin dhe zunë një shumicë të pashpresuar peshqish. «Mësonjes, tërë natën u munduamë dhe nuk zumë asnjë, por me fjalën t' ënde do të heth rrjetat». Dhe, o çudi e madhe! zunë një shumicë të madhe, sa mbushën që të dy lundrat.

Ç' na mëson kjo? Që njeriut i imponohet puna, si një detyrë e shenjtë. Jo çdo punë, por punë në Krishtin, e cila është e vetmja punë e shenjtë dhe e bekuar. Për këtë do të bëjmë fjale sot mbi Ungjillin e sotshëm. Cila pra është puna në Krishtin? Cilat janë njohjet dhe fitimet e saj? Nuk duhet filozofi e madhe dhe mendim i thellë, që t' a gjejë njeriu. Ungjilli më një anë dhe ndërgjegja në tjetër anë na thonë, se është:

1. - Puna e ligjëshme.

Pse janë dhe punë të paligjëshme? Po, Janë ato punë, të cilat edhe ligjet e shtetit i ndalojnë dhe i dënojnë, dhe nomi i Perëndisë na këshillon që të largojmë nga ato. Cilat janë këto punë i dimë që të gjithë. Tregëti me dinakëri, pasuni dhe fitime, që fitohen me padrejtësira, mjeshtërira, ku gënjeshtra kryeson, sipërmarje, ku shtrëngohet i pafuqishmi, libra, ku mburehet demoralizimi, qëndra emër-dobta dhe shpirt-prishjeje, ku shpërndahen të hollat dhe shtazërohet njeriu. Jo, këto nuk janë punë dritë-dhënëse, por janë punë të errëta. Çdo të bëjë i krishteri? Do të pyes Ungjillin, do të pyes ndërgjegjen.

Nuk do të kërkojë punë, që konsiderohet pa tjatër e denjë dhe e nderçme, as nuk do të largohet nga puna me dorë dhe e randë, që konsiderohet e përbuzëshme nga të marrët e botës. (D.m.th. çdo punë, që ushtrohet me drejtësi, është e shënjtë dhe e nderçme për njerin, vetëm disa të marrë konsiderojnë disa mjeshtërira jo të denja për njerin.

I krishtëri pra do të gjejë punë sipas nomit të shënjtë, qe e do dhe e pëlqen Perëndia. Dhe bëhet ahere jo vetëm mjek e avokat, profesor e bankier, tregëtar e nënpunës, por bëhet edhe bujk e bari, punëtor e fshesaxhi, kur vetë Krishti punoi që në vogëli pranë mbrojtësit të Zonjës Shën Mëri Shën Josifit dhe Apostojt ishin peshkatarë. I krishteri bëhet mjek i vërejshëm, avokat i sinqertë, tregëtar i nderçëm nëpunës i ndërgjegjshëm dhe punëtor i gatishëm; dhe ushtron punën e tij me drejtësi, nderje, dashuri, sikundër do Perëndia. Sepse e njehë dhe bindet, që ajo punë është e ligjëshme dhe pas porosivet të Krishtit.

2. - Punë me lutje.

Sepse i krishteri nuk besohet kurrë vetëm në fuqit e tija, as në zgjuarësin e tij, as në njoftimet dhe në mjetet që disponon, dhe më tepër as në fatin e verbër dhe e pa qenme, por besohet në përkujdesjen, në mbrojtjen dhe në ndihmën e Atit qiellor. E di, se të gjitha të mirat dhe «çdo dhënie e mirë dhe çdo dhuratë e mbaruar zbret që lartazi nga Ati i dritavet». Ç' bën pra? Falet për punën e tij, falet në fillim dhe në mbarim të punës së tij. Falet kur do të hedhë farën dhe kur do të korrinj. Falet në fillim për të kërkuar nga i Tërëfuqishmin për dhuratat, që i fali. Gjithë punën e tij, gjithë jetën e tij dhe gjithë mendimet e tija i endë me faljen e tij të përulët dhe të përzemërte; dhe ahere nuk punon i vetëmuar dhe nuk venë mundimet e tij të kota. Ka bashkëpunëtor dhe ndihmës Perëndin e tërë pushtetëshme dhe si përfundim ka fryte të pasura. Është punë pas Krishtit dhe:

3. - Punë e bekuar.

Do të pyësni një punë e tillë nuk del ndonjë herë pa sukses? Po. Është e vërtetë që nga ndonjë herë lejon Perëndia t' iu vijnë besatarëvet dëme dhe të shënohen pasuksese dhe prishje ekonomike; por kjo u ngjanë vetëm, kur kthejnë nga udha e Tij dhe kur përzjejnë besën me pabesimin dhe drejtësin me padrejtësin. Dhe herë tjetër Perëndia lejon për të provuar besën dhe durimin e tyre dhe t' iu japë rasë, që virtuti i tyre të japë fruta më tepër. Por regullisht Perëndia bekon punët, që ushtrohen me drejtesi dhe pasohen gjithnjë me falje. Jep i Tërëmiri sa janë të nevojeshme dhe të dobishme. Jep pak, sepse të shumtat dëmtojnë shpirtin.

Të kemi ndër mend të pasurin e paravolisë me Llazarin e vobektë, të pasurin të çmendur dhe të pasurin djalosh, që kërkonte të trashëgojë jetën e amëshuar. Që të tre humbën shpirtin e tyrë për të hollat. Prandaj jo të shumtat, por sa gjykon Perëndia dhe sa japin fuqit t' ona.

* * *

Punë pra. Puna është nomi i Perëndisë dhe detyrë e shenjtë. «Kushdo në atë që është thërritur». Në mjeshtërin e tij dhe në punën e tij me besë, me zell, me vetmohim, me falje, me nderje dhe me drejtësi. Është puna e jonë pas Krishtit? Ka shikuës dhe mbrojtës Perëndin dhe nuk do të dalë pa sukses. Shëmbullë kemi Pjetrin dhë shokët e tij. Kur punuanë pa Krishtin, nuk zunë asnjë peshk dhe kur punuanë bashkë me Krishtin, mbushën që të dy lundrat.

Pra punë të ligjëshme, punë pas Krishtit, kurrë nuk dialin pa sukses.


E DJELË (19) PAS LLUKAJT II

Shpjegim i Ungjillit (Lluk. 6. 31-36)

"Tha Zoti, sikundër doni, që t' ju bëjnë njerzit, gjithashtu bëni dhe ju atyre."

Ky nom, i rrënjosur në natyrën e njeriut, është kaqe i drejtë dhe i llogjikshëm, sa s' mund t' a kundërshtojë asnjë njeri. Të sillemi ndaj njerzit me atë mënyrë, sikundër dëshirojmë të sillen dhe ata kundrejtë nesh. Le të bëjmë pra çdo të mirë të tjervet, gjë që dëshirojmë edhe neve të na bëjnë të tjerët. Dhe të largohemi të dëmtojmë të tjerët, sikundër nuk duamë të na dëmtojnë të tjerët.

"Edhe në daçi ata që u duanë juve, ç' farë hiri kini ju? Sepse edhe fajtorët - duanë ata që i duanë. Edhe ndë u bëfshi mirë atyrëve, që u bëjnë mirë juve, ç' farë hiri kini ju? Sepse edhe fajtorët gjith atë bëjnë. Edhe ndë u dhënçi hua atyrëve, prej të cilvet shpresoni t' i merni prapë, ç' farë hiri kini ju? Sepse edhe fajtorët u japin hua fajtorëvet, që të marrin prapë një për një".

Ç' pagesë do të kini nga Perëndia, kur të dashuroni vetëm ata, që ju dashurojnë? Nuk do të kini asnjë shpërblim, sepse i doni, me qenë se ju duanë. Kështu dashurija e juaj ka shpërblim dashurin e tyre. Por çdo virtut që pret shpërblimin nga njerzit, s' ka shpërblim nga ana e Perëndisë.

Mëkataret, që rrojnë në mëkatë, dashurojnë ata, që i dashurojnë. Ç' provohet nga kjo? Që e tillë dashuri nuk ësht virtut, por interes. Prandaj s' ka shpërblim nga ana e Perëndisë. Në këtë mënyrë s' ka shpërblim nga ana e Perëndisë dhe po të bëjmë të mirë atyre që na bëjnë të mirë. Edhe ne dhënçim hua vetëm atyre, prej të cilëvet shpresojmë të marrim fitim ase dobi, edhe për këtë gjë s' ka shpërblim nga ana e Perëndisë. Sepse edhe njerzit mëkatarë, të cilët nuk jetojnë pas dëshirës së Perëndisë, edhe ata japin hua me qëllim, që të kenë po atë dobi prej tyre. Këta të mirën e bëjnë jo për dashurin e Perëndisë, por për dobin e tyre.

"Por doni armiqt t' uaj, edhe bëni mirë, edhe jepni hua, pa pasur ndonjë shpresë më; edhe atëhere paga e juaj do të jetë e shumë, edhe do të jeni bijt e të Lartit. Sepse ay është i mirë mbë ata që nuk i a njohin të mirën dhe mbë të liqt. Bëhi pra të mëshirshëm, sikundër edhe ati i juaj është i mëshirshëm".

Të dashuroni edhe armiqt t' uaj dhe të jeni mirëbërës dhe të jepni hua pa shpresuar ndonjë dobi. Vetëm e tillë dashuri dhe mirëbërësi ka vlerë përpara Perëndisë. Në këtë rasë do të merni shpërblim të math dhe të përjetshëm nga ana e Perëndisë, e cila do t' ju shpërblejë në qiell. Do të bëhi kështu imituës dhe bij i të Lartit. Sepse Perëndia dashuron dhe është mirëbërës jo vetëm kundrejt të mirëvet, por edhe kundrejtë të liqvet dhe mosmirënjohtësvet.

Plotë dashuri për të afërmin. Perëndia nga natyra është i mëshirshëm, por njeriu, në qoftë se dëshiron, bëhet i dhimsur dhe i mëshirshëm me ndihmën dhe hirin e Perëndisë. Sepse njeriu pa hirin dhe pa ndihmën e Perëndisë nuk mund të bëhet i mëshirshëm. "Pa mua - tha vetë Krishti - nuk mund të bëni gjasendi". (Joan 15.5).

MËSIME. - Për të afërmin na porositi Zoti të kemi sjellje barazimi dhe drejtësije. Çdo gjë që dëshirojmë të na bëjnë të tjerët, duhet edhe ne t' u bëjmë atyre. S' ka më të drejtë nga kjo gjë. Në qoftë se dëshirojmë të na bëjnë të mira dhe të mos na bëjnë ndonjë të keqe dhe të pa pëlqyer, ahere duhet të këtillë sjellje të tregojmë edhe neve kundrejtë atyre. Është sjellje drejtësije dhe barazimi.

S' ka vlerë ndaj Perëndija dashuria dhe mirësija, që bëhet për të pritur shpërblim nga ana e njerzvet. Në qoftë se jep për të marre, në qoftë se dashuron që të dashurohesh, atëhere more prapa çdo gjë që bëre dhe kështu është sikur nuk bëre gjë. Në qoftë se dashuron dhe bënë të mira pa pritur shpërblim nga ana e njerëzvet, atëhere këto të mira mbeten të pa shpërblyera dhe quhen si hua, që i a ke bërë Perëndisë dhe ke për të marrë shpërblim të pasur në jetën e ardhme nga ana e Perëndisë.

Dashuri për armiqt! Ja heroizmë në të cilën na thërret Zoti. Ay që dashuroi armiqt e Tij dhe duroi vdekje për ata, kërkon edhe nga ana jonë dashuri për armiqt t' anë. Kjo dashuri është sakrifica mâ e madhja për të afërmin, vepra mâ e naltë imitimi të Shpëtimtarit. Dashuri kundrejtë armiqvet do të thotë zemërgjërësi, butësi, mirësi dhe përulësi, të vyera përpara Perëndisë për shpërblim dhe lavdërim.

Kjo porosi e lartësoi mësimin Ungjillor dhe këtë porosi admiruan paganët. Asnjë ligjëvënës para Krishtit nuk mësoi, që duhet t' i duamë dhe t' u bëjmë të mira armiqvet t' anë. Edhe Moisiu i porositi Judhenjt "sy për sy" dhe "dhëmbë për dhëmbë", d.m.th. Israilitët të hakmarrin dhe të urrejnë armiqt e tyre.

Porosija e Krishtit, që të duamë armiqt t' anë, po të zbatohet, pushon të gjitha të ligat në botë, bije paqen e qiellit mbi dhé edhe e ndryshon dheun në qiell. Kjo porosi e ngrehë njerin në lartësirat e përsosunis dhe e bën njerin një me Perëndin, e cila "lind diellin mbë të liqt dhe mbë të mirët dhe dërgon shiun mbë të drejtët dhe të padrejtët".

Ati ynë qiellor është i tërë mëshirë, dashuri dhe dhimsuri. Në qoftë se duamë të bëhemi bijt e Tij, s' ka tjetër mënyrë mâ të sigurtë se të bëhemi edhe neve plotë me mëshirë, dashuri dhe dhimsuri.


E DJELË (19) PAS LLUKAJT II

FJALIM: Për dashurin kundrejtë armiqve

"Por duani armiqt t' uaj".

Dashuri, që nuk kufizohet vetëm nër miqt dhe farosë, por zgjatet dhë nër armiqt dhe kundërshtarët, është me të vërtetë hyjnore dhe dashuri e përmbibotëshme. Këtë dashuri tregoi i Tërëmiri për neve njerzit. Këtë tregoi Zoti ynë Jisu Krishti për ndjekësit, që e kryqëzuanë. Këtë dashuri kërkon dhe nga neve pasonjësit e Tij, sepse erdhi të sjellë mbretërin e Perëndisë mbi dhé, të zhdukinj armiqësin, të zbutinj zemrat dhe t' i bëjë njerzit t' i përgjanjnë Perëndisë. Erdhi të vizojë një jetë të re mbi dhé, jetë perfeksioni krishtere dhe dashurije, dhe për këtë përsosuni na cakton dashurin me armiqt t' anë. "Por duani armiqt t' uaj" udhëron Shpëtimtari, dhe në duamë të jemi të Tijt dhe të pasojmë besnikërisht shëmbullën e Tij duhet të duamë armiqt t' anë.

I

Po qysh t' i duamë? Trifishë detyrë përmban dashurija për armiqt. 1. - Mos të hakmarim.

Me të vërtetë, na dëmtojnë, na bëjnë padrejtësira, na intrigojnë dhe na kallzojnë me të të rremë. Ç' ndjenjë lind në shpirtin t' onë? Lind ndjenja e hakmarrjes. Zjen pasioni i egër në thellësirën e shpirtit t' onë dhe kërkon, që t' ia shpërblejmë të ligë për të ligën, padrejtësi për padrejtësin "sy për syrin dhe dhëmb për dhëmbin". Kërkon t' a heqim nëpër gjykatoret, t' a goditim, t' a bëjmë të përqeshet armiku i ynë. Kjo gjë na duket e natyrëshme dhe këtë hakmarje e gjejmë të drejtë. Por dashurija krishtere na e ndalon dhe Apostol Pavli na porosit "mos t' i bëjmë asndonjërit të ligë për të ligën". Çdo të bëjmë pra? Do të mbytim pasionin, do të shuajmë armiqësin, do të përmbajmë gjuhën dhe do të ndjejmë me gjith zemër dhe shpirt armikun kundërshtar. Do t' a ndjejmë më gjith zemër dhe shpirt, sado e madhe qoftë e liga që na ka bërë. Por do të qëndrojmë gjër këtu? Jo, duhet:

2. - T' i u bëjmë të mira armiqvet t' anë.

Dashurija s' është mohuëse (negative), por edhe pohuëse (pozitive). Davidhi në një psalm thotë, "hiq dorë nga e liga dhe bëj të mirën". Duhet t' u bëjmë të mira armiqvet t' anë. Kur vuajnë dhe ndodhen në shtrëngime, kur s' kanë dhe gjenden në rreziqe, kur kanë zi dhe qajnë, me një fjalë kur ndodhen në nevojë, mos të presim ahere të vijnë ata tek neve, të gjunjëzojnë përpara nesh dhe të kërkojnë përkrahjen dhe ndihmën t' onë. Shpirt-madhësija e kërkon që neve vetë t' i u vemi shpejtë dhe të vet-shtytur për të plotësuar nevojat e tyre dhe t' i nxjerim nga gjendja e vështirë. T' i ndihmojmë, t' i ngushullojmë, të marrim përsipër mbrojtjen e tyre. Këtë na e thotë Krishti, "bekoni ata që u mallkojnë, bëni të mira atyre që ju urrejnë".

3. - Do të falemi për armiqt t' anë.

Mos nuk e bëri Krishti mbi Kryqin e Tij? Mos nuk na porositi, "faluni për ata që ju dëmtojnë dhe ju ndjekin"? Po, do të falemi për ata dhe do t' i lutemi Perëndisë, që t' i u japë pendim, që të marin ndjesë për të ligën që na bënë, që t' i udhëheqë Perëndia në udhën e shpëtimit, që t' i u japë të mirat e Tij pasurisht në këtë botë dhe shpëtimin e shpirtit të tyre në jetën e arthme. Këjo është dashurija për armiqtë edhe kjo është detyra e jonë, sikurse e porositi dhe e zbatoi Krishti.

II

Po ësht e lehtë të ushtrojmë këtë dashuri dhe të sillemi kaqë të butë kundrejtë armiqvet t' anë? E pohojmë që është shumë e vështirë, më tepër kur mërija pushton zemrën t' onë. Valët e pasionit të zemëratës mbytin logjikën. Por edhe ahere mund të përmbajmë vehten t' onë duke kujtuar dy gjëra:

1. - Shëmbullën e Atit t' onë qiellor.

S' kemi vetëm neve armiq, edhe Perëndia ka armiq. Sepse ne mëkatarët jemi armiqt e Tij, sado që na ka bijt e Tij dhe neve e kemi At. Bëhemi armiqt e Tij, kur e fyejmë, kur e blasfimisim, dhe kur nuk plotësojmë nomin e Tij, kur shkelim porosit e Ungjillit. Sa mëkata nuk bëjmë përpara Tij dhe sa herë nuk është e drejtë të bjenë mbi neve rufet e zemëratës së Tij? Por nuk e bënë, nuk na dënon, nuk na shpërblen me të këqija për ligësirat t' ona. "Lind diellin e Tij për të mirët dhe për të liqt dhe dërgon shiun për të drejtët dhe të padrejtët" d.m.th. na ndjen dhe na dhuron të mirat e Tij. E pra, kjo shëmbullë e Atit t' onë qiellor duhet të na regullojë ndjenjat t' ona kundrejtë armiqvet t' anë.

2. - Interesi i ynë lëndor dhe shpirtnor.

Po të hakmarim dhe të shpërblejmë të ligën me të liga, do të formojmë armiqësira të rea, që shkakëtojnë frikëra dhe rreziqe. Por në qoftë se u bëjmë të mira armiqvet t' anë, pa dyshim fisnikërija dhe shpirt-madhësija e jonë i çarmatos dhe bëhen miq të dashur dhe mirnjohtës.

* * *

Vllezër. Dashurija për armiqt është mâ i larti virtut krishtëror. Kjo dashuri do të na tregojë bij të Perëndisë. Kjo dashuri do të tërheqë dhe armiqt t' anë në pendim dhe në ndreqje. Kjo dashuri do të na lartësojë në qiell, që të na dhurojë të mirat e pavdekëshme të dashuris hyjnore, mbretërin e Perëndisë dhe jetën e përjetëshme. Amin.


E DJELË (20) PAS LLUKAJT III

Shpjegim i Ungjillit (Lluk 7. 11-17)

"Në atë kohë, vinte Jisuj ndë nje qytet që quhej Nain. Edhe vinin bashkë me atë edhe mjaftë nga nxënësit e tij edhe shumë gjindje. Edhe kur u afërua ndë portët të qytetit, ja tek sillnin përjashta një të vdekur, të cilin e ëma e kishte bir të vetëm, edhe ajo ishte e ve; edhe shumë gjindje prej qytetit ishte bashkë me atë".

Qyteti Nain ishte afër malit Thavor. Kur dolli Jisuj nga qyteti Kapernaum, ku kishte shëruar shërbëtorin e kryeqintësit, po shkonte në qytetin Nain. Prapa Krishtit po vinin shumë nga nxënësit e Tij dhe një shumicë njerzish. Nxënës kupton këtu jo vetëm të dymbedhjetë Apostojt dhe të shtatdhjetë nxënësit, të cilët i dërgoj më pastaj për të lëçitur, por edhe ata besatarë që vinin prapa Shpëtimtarit dhe ndëgjonin me respektim mësimin e Tij.

Israilitët i kishin qimitiret jashtë qytetit dhe atje varrosnin të vdekurit. Kur u afërua Krishti në hyrjen e qytetit, nxiresh nga qyteti për varrim një i vdekur, që ishte djal i vetëm i një nëne së vé. Prapa të vdekurit po vinin dhe shumë njerës. Ky zakon që të venë prapa të vdekurit, vazhdon gjer më sot dhe është shënjë dashurije, sepse me këtë njerëzit e të vdekurit ngushullohen dhe i vdekuri nderohet.

"Edhe Zoti kur pa atë, i erdhi keq për atë dhe i tha asaj, mos qaj. Edhe u afërua dhe zuri shtratin; edhe ata që e mbanin qëndruanë. Edhe tha, djalosh, po të them, ngreu. Edhe i vdekuri u ngrit e ndënji edhe zuri të flasë edhe i a dha s' ëmës".

Krishti u mallnjye, kur pa që po vajtonte e ëma për vdekjen e birit të saj. Më parë e ngushulloi me fjalët «mos qaj», pastaj vendosi t' i a japë të birin e saj të gjallë. Preku me duart e Tij shtratin e të vdekurit dhe ata që e mbanin qëndruanë. Urdhëron Krishti të vdekurin, që të kthehet prapë në jetë dhe urdhëri i Tij hyjnor plotësohet at çast. Erdhi në jetë prapë i vdekuri, ndenji në shtrat dhe zuri të flasë.

"Edhe të gjithëve u hyri frikë, edhe lavdëronin Perëndin duke thënë, se profit i math është ngritur ndër ne edhe se Perëndia vizitoi popullin e tij".

Lavdëronin Perëndin dhe thoshnin, se u duk profit i math midis tyre, sepse nuk e dinin hyjnin e Tij. Perëndia vizitoi popullin e Tij me anën e Krishtit.

MËSIME. - Plotë me dashuri Zoti njeridashës u interesua për gruan e mjerë, e cila vajtonte për vdekjen e birit të sajë. Nuk mbet i pa interesuar Zoti për ata që ndodhen në shtrëngime. Jo vetëm sympathizonte në hidhërimet e njerësvet, por shpëtonte edhe shumë nga hidhërimet, për të na mësuar kështu, se Ay erdhi të çdukinj çdo hidhërim dhe të vërë paqe dhe gëzim në shpirtet e njerësvet.

E veja e Nainit ishte pushtuar nga një zi e madhe. E vé nga burri pasonte nashti vdekjen e birit të saj të vetëm. Por Zoti që merr përsipër nënë mbrojtjen e Tij të vejat dhe jetimët, tregon dhe nashti mbrojtjen e Tij për këtë grua të mjerë, e cila qan dhe vajton. «Mos qaj» i thotë asaj. Mos qaj, sepse unë jam burimi i gëzimit dhe dhuruësi i paqes.

«Djalosh, ty të them, ngreu». Duket sikur Zoti flet me një njeri, i cili është në gjumë. Por ç' është vdekja përpara fuqis së Tij hyjnore? Në qoftë se me një zë zgjuajmë një njëri në gjumë, Zoti me lehtësi të madhe mund të thëresë prapë në jetë një të vdekur. Sepse Ay është zotnuësi i jetës dhe i vdekjes, Zoti i të vdekurvet dhe i të gjallëvet. Ay është burimi i pavdekësis dhe i jetës.

Porsa ndëgjoi urdhërin e Shpëtimtarit, djaloshi i vdekur u kthye në jetën. Ligji i përgjithshëm i vdekjes u praps në dëshirën e Atij, i cili dha jetën në fillim dhe i cili lejoi vdekjen tek njeriu që mekatoi. Sikundër ngjalli birin e gruas së vé, kështu ka për të ngjallur një ditë të gjithë të vdekurit në një jetë të re, të pa prishur dhe të pa vdekur.

Frikë pushtoi ata qi panë çudin e madhe te ngjalljes së të vdekurit. E këtillë frikë duhet të hyjë dhe në shpirtet t' ona, frikë përpara pushtetit hyjnor dhe fuqis së Shpëtimtarit. Sepse, në qoftë se ngjallë të vdekurit dhe dhuron jetën, po Ay ashtu me fuqin e Tij do të dorëzojë ne prishje të përjetëshme, ata që rrojnë në pa frikësi të ligjit të Tij dhe shkelin porosit e Tij.


E DJELË (20) PAS LLUKAJT III

FJALIM: Për ngushullim në vdekje

"Mos qaj"

«Mos qaj» i tha Zoti njeridashës s' ëmes së mjerë të Nainit, e cila përcillte djalin e saj të vetëm në varr. Po qysh mos të qajë? E kishte mbështetje të vetme pas vdekjes të burrit saj. Priste ditën t' i rritesh djali i saj, t' i bëhesh mbrojtës i shtëpis së saj, dritë dhe gëzim të jetës saj të shumë-vuajtur. Por nashti ëndërrat dhe shpresat e saj humbasin. Qysh mos të vajtojë për mjerimin e saj të math? Me gjithë këtë duhesh të pushojë vajtimet e saj dhe të ngushullohesh, sepse kishte pranë Krishtin, i cili është jeta dhe drita e njerzvet dhe i cili është ngjallja e të vdekurvet. Dhe prandaj «mos qaj» i thotë Zoti.

Por edhe për neve kështu na thotë Zoti, kur vdekja e pamëshirëshme hynë në shtëpin t' onë dhe na rrëmben të dashurin t' onë. O! ahere kush mund të masë dhimbjen t' onë dhe rënkimet e zemrës s' onë. Ahere pra na thotë dhe neve Shpëtimtari me mësimin e Tij mos qani dhe mos hidhërohuni. Dhe duhet të mos qajmë dhe të vajtojmë me dëshpërim, por duhet të përcjellim të dashurit t' onë në varret me durim krishtëror, sepse:

1. - Vdekja nuk ësht humbje.

Pse qajmë për vdekjen e të dashurvet dhe vajtojmë pa ngushullim? Sepse pandehim, se humbi përgjithnjë vllaj i ynë. Por kjo s' është e vërtetë. E vërteta që na siguron Zoti është, se përtej varrit zgjatet një jetë tjetër, një jetë e përjetëshme dhe e lumtur, ku nuk ka dhimbje, as renkime, por vetëm prehje dhe lavdi e lumtëri. Në atë jetë pra venë të dashurit t' anë. Psa pra, qan për lumtërin e djalit t' ënd? Vajton ti nashti, se ay gëzon dhe prehet? Por ndofta thua, ishte para kohe vdekja e tij dhe iku shpejtë nga kjo botë. Po. Por merr parasysh, se shpëtoi nga vuajtjet dhe nga shtrëngimet dhe hyri në pavdekësi dhe siguri. Po, në siguri, se është rrezik të mbetemi në këtë botë, rreziku i mëkatës, e cila vdekëson shpirtin e pavdekshëm. O! sa shpejtë tërhiqemi të gjithë në mekatë. Por pas vdekjes s' është ky rrezik, sepse në atë jetë pranë Perëndisë s' ka botë të ligë. Në qoftë se vdiq i dashuri yt, le të jetë ngushullimi yt, se nuk do t' a shofish të ndryshojë rruge dhe të bëjë mekata. Vdekja krishtërore është sigurim dhe jetë dhe lumtëri e përjetëshme.

2. - Vdekja është një ndarje e përkohëshme.

Qajmë ashpërisht dhe me dëshpërim, sepse vdekjen e pandehim humbje dhe nuk do t' i shikojmë mâ përgjithnjë. Por vdekja është një ndarje e përkohëshme. Sikundër erdhi vdekja për të dashurin t' onë, kështu do të vijë vdekja dhe për neve në kohën e caktuar. Edhe neve do të ikim nga kjo botë e përkohëshme. Do të udhëtojmë në qiejt, që është atdheu i ynë i vërtetë dhe i qëndruarshëm, ku do të gjejmë dhe neve gëzimin, sikundër e gjetën ata më parë; ku do të gjejmë Perëndin, Atin t' onë qiellor; ku do të gjejmë të dashurit t' anë, që ikën para nesh. Do t' i gjejmë të gjithë, prindër dhe vëllezër, djemt dhe miqt, që të rrojmë së bashku të pandarë mâ në jetën e pa sosur. Pse të qajmë pra me dëshpërim, si të ishim të pabesë, të cilët s' kanë shpresë? Por edhe tjetër duhet të marrim parasysh, që të mos na tërheqin valat e hidhërimit, që:

3. - Vdekja është gjumë.

Gjumë jo për shpirtin, i cili edhe pas vdekjes rron dhe ndjen. Vdekja është gjumë për trupin t' onë lëndor, që pas vdekjes kalbet dhe tretet. Por sikundër pas dimrit vjen prandvera, kështu dhe pas tretjes vjen ngjallja. Këtë na e thotë symboli i besës s' onë, që është dhogmë kryesore, «pres ngjalljen e të vdekurvet». Këtë na e siguron vetë Krishti, «ay që beson tek mua, edhe në vdektë do të rrojë». Prapë na thotë, «që do të vinjë një orë, kur të vdekurit do të ndëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që do të ndëgjojnë do të rrojnë». Do të bëhet pra ngjallja e të vdekurvet dhe do të zgjohet trupi nga gjumi i gjatë me fuqin e Krishtit. Do të ngjallet trupi me nderje, që të rrojë me shpirtin jetën e përjetëshme.

* * *

Vllezër. Është e natyrëshme, që të qajmë për vdekjen e të dashurvet, por me një farë kufi. Por vajtimet e dëshpëruara dhe hidhërimin i pakufishëm s' kanë hije për pasonjësit e Krishtit. Detyra e jonë krishtërore është kjo. Përpara se të vijë vdekja e të dashurit t' onë dhe trupi i tij të vdekësohet, t' a pregatitim atë për udhëtimin e gjatë. T' a pregatitim me pendim, rrëfim dhe me kungimin e Trupit dhe të Gjakut te Zotit t' onë Jisu Krishtin dhe të shkojë me shpirt të pastër në mbretërin e qiellit. Vdekja e të dashurvet t' anë të bëhet burim mësimi, që të na ngrerë nga gjumi i mëkatës dhe të na largojë nga kotësirat e botës dhe të na sjellë në pendim. Në këtë rasë vdekja, sado e ashpër dhe e pa pritur që të na sulet, është një triumf, ku do te mbretërojë gëzim dhe paqe.


E DJELË (21) E ATËRVET TË SHËNJTË PAS LLUKAJT IV

Shpjegimi i Ungjillit (Lluk. 8. 5-15)

"Tha Zoti këtë paravoli. Dolli mbjellësi të mbillte farën e tij. Edhe ay tek po mbillte, ca ra pranë udhës, edhe u shkel, edhe shpezet e qiellit e hëngrën. Edhe tjatër ra mbi gur, edhe posa mbiu, u tha, sepse nuk kishte lagësirë. Edhe tjatër ra në mest të drizavet, edhe si mbinë drizat bashkë me atë, e mbytnë. Edhe tjatër ra mbë dhe të mirë, dhe si mbiu, dha pemë për një njëqint".

Dolli bujku dhe mbolli farën e tij. Bujku është Zoti i ynë Jisu Krishti, i cili u bë njeri për neve për të lëçitur mësimet e shpëtimit. Pastaj dërgoi lëçitës të Ungjillit Apostojt, Jerarkët e shenjtë dhe Mësonjësit hyjprurës dhe çdo tjetër lëçitës besëmirë të fjalës së Zotit.

Një pjesë e farës ra pranë udhës, të cilën e shkelën ata që shkojnë udhës dhe e hëngrën zogjët e qiellit, prandaj s' biu fare. Një pjesë tjetër ra në gurishte, që s' kishte shumë dhe; prandaj në këtë vënd biu fara, por pas puk u tha, sepse s' kishte lagësirë që të zhvillohesh.

Një pjesë tjetër ra mbi drizat dhe, me qënë se u rritën edhe drizat bashkë me farën, e mbytën farën dhe nuk e lanë që të japë prodhim.

Ajo farë që ra në tokë të mirë, prodhoi një qintfish.

"Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë. Çdo të jetë kjo paravoli? Edhe ay u tha, juve u është dhënë të njihni fshehtësirat e mbretëris së Perëndisë; po të tjervet me paravoli, që duke parë të mos shohin dhe duke ndëgjuar të mos kupëtojnë".

Apostojt e pyetën veçanërisht Krishtin, ç' kuptim ka kjo paravoli? Krishti u tha. Juve është dhënë hiri i math nga Perëndia, që të dini të vërtetat e nalta dhe mysteret e mbretëris së qiejvet, sepse kini zemër që pranon. Por të tjerët nuk marin dhe nuk pranojnë të vërtetën. Prandaj atyre u flas me paravolira, mbasi sado që shohin me syt e trupit, dhe nuk shohin me syt e trupit, dhe nuk shohin me syt e shpirtit; por nuk dëgjojnë paravolin, kuptojnë pjesërisht të paktën kuptimin e saj. Sepse, në qoftë se u them çveshur të vërtetën, ata nuk do t' a kuptojnë dhe nuk do t' a pranojnë dhe ahere dam i tyre do të jetë i math.

"Edhe paravolija është kjo: Fara është fjala e Perëndisë. Ato që ranë udhës, janë ata që ndëgjojnë; pastaj vjen djalli, dhe ngreh fjalën prej zemrës s' atyre, që të mos besojnë e të mos shpëtojnë".

Udha është vend i shkelur dhe i ashpër dhe, me qënë që s' ka garth, udhëtarët shkojnë lirisht përmes saj. Prandaj fara s' mund të hyjë në të tillë vend të ashpër, por mbetet në sipërfaqen, ku shkelet prej udhëtarvet dhe hahet prej shpezëvet. Udha pra symbolizon ata njerës, të cilët nga shkaku i pabesimit dhe të mëkatës kanë zemrën të ashpër, që s' pranon të vërtetën. Prandaj fjala e Perëndisë nuk hyn në të tillë shpirt. Por edhe në qoftë se bënë ndonjë përshtypje të mirë fjala e Perëndisë, ahere djalli çduk këtë përshtypje dhe humbet prodhimin e fjalës hyjnore, sepse mëkatat dhe papendimi kanë hyrë thellë në shpirtin e tyre.

"Edhe ato mbi gurt janë ata, të cilët, kur ndëgjojnë, me gëzim e presin fjalën; por këta s' kanë rrënjë, sepsë ata besojnë për ca kohë, po ndë kohët të ngasjes hiqen lark. Edhe ajo që ra ndër drizat, këta janë ata që ndëgjuanë, por nga kujdesjet e nga pasja e nga kënaqjet e kësaj jete mbyten dhe nuk bëjnë pemë. Edhe ajo që ra ndë dhe të mirë, këta janë ata që ndëgjuan fjalën, edhe e mbajnë ndë zemër të mirë e të qëruar edhe bëjnë pemë më durim. Duke thënë këto thërriste, kush ka veshë për të ndëgjuar le të ndëgjojë".

Toka gurishte symbolizon njerzit, të cilën në një pjesë të vogël pranojnë të vërtetën, por janë të pushtuar prej pasionesh të mëdhenj, që ngjajnë si gurë në shpirtin. Prandaj të tillë, kur ndëgjojnë fjalën, e pranojnë me gëzim. Por kur ngjan ndonjë ngasje dhe ngrihen pasionet në shpirtin, tërhiqen nga pasionet dhe largohen nga e vërteta.

Toka me driza symbolizon njerzit, të cilët janë pushtuar nga dëshirat e jetës, nga argjentdahsja dhe nga kujdesjet e rrojtjes. Këta nuk vënë në veprim fjalën e Perëndisë, prandaj nuk prodhojnë pemët e virtutit.

Toka e mirë symbolizon njerzit, të cilët pranojnë fjalën e Zotit dhe e mbajnë në shpirtin e tyre dhe zbatojnë porosit e Perëndisë. Këta e shkojnë jetën e tyre me durim në çdo shtrëngim dhe kështu prodhojnë pemë të pasura në virtut. Kush ka veshë d.m.th. kush është gati të mësojë të vërtetën, le të ndëgjojë fjalët e mia dhe le t' i mbajë në shpirtin e tij.

MËSIME. - Puna kryesore e bujkut është mbjellja e tokës. Edhe bujku qiellor punë kryesore ka, që të fjalën e shpëtimit në shpirtet e njerëzvët. Mbjell Zoti të vërtetën në çdo shpirt me mjete dhe rasa të ndryshme. Kur do të vinjë dita e madhe e korrjes, ahere do të kërkojë nga çdo shpirt pemët nga fara e së vërtetës, që ay mbolli dhe shpërndau.

Çdo shpirt s' mund të pranojë farën e së vërtetës. Varret në vullnetin e lirë të njeriut, që t' a bëjë shpirtin e tij të pranojë, ose mos të pranojë fjalën e së vërtetës. Prandaj ndodhen shpirte që pranojnë të vërtetën dhe kështu prodhojnë pemë; por ndodhen dhe shpirte, që s' pranojnë të vërtetën dhe prëgjajnë me udhë të shkelur, ose tokë gurishte dhe me driza.

Fara hyjnore, fjala e Perëndisë, ka vetiu fuqi dhe gjallni të çuditëshme, që mjafton të prodhojë pemë të pasura të virtutit. Sikundër farët bimore përparojnë vetëm në tokë pjellore, kështu dhe fara e fjalës së Zotit përparon në shpirtet, që kanë mundësi t' a pranojnë. Prodhon më shumë ose më pak simbas dashjes së njeriut dhe simbas punimit, që bën çdo njeri në shpirtin e vet.

Një arë po t' a lemë pa garth, që t' a shkelin udhëtarët lirisht dhe të pa punuar, ahere kjo arë në udhë është e pamundur të punohet dhe të prodhojë. Kështu dhe një shpirt bëhet në të tillë gjendje i shkelur dhe i pa mundur të pranojë fjalën e shpëtimit, sepse e la njëriu atë të pa ruajtur nga çdo mëkatë, të lirë nga çdo veprim të armikut djallit dhe nga influenca e njerzve të liq.

Shumë shpirte i përgjajnë tokës me gurë dhe driza. Gurët dhe drizat e mbytin farën dhe nuk e lënë të prodhojë. Kështu edhe në një shpirt, në të cilin lihen të pa luftuar pasionet dhe nuk çrënjosen drizat e kujdesjevet të jetës, e dashuris së pasjes dhe së dëshiravet të botës, nuk mund fara e fjalës së Perëndisë të prodhojë pemë.

Duhet të kemi hapur veshët e shpirtit, që të ndëgjojmë dhe të pranojmë të vërtetën. Do, o i Krishterë, të prodhosh pemët e virtutit shpëtimtar e të përjetshëm? Hapë veshët e shpirtit, ndëgjo fjalët e Zotit me besatari dhe nënështro vehten në porosit e fjalës së Zotit.


E DJELË (21) PAS LLUKAJT IV
E ATËRVET TË SHENJTË


FJALIM: Për nevojën e fjalës së Perëndisë

"Dolli mbjellësi për të mbjellur farën e tij"

Në të Djelën e sotme të Atërvet të Shenjtë të Synodhit ekumenik të VII, Kisha e jonë e Shenjtë këndon paravolin e kujkut që mbjell. Një regullim shumë i mirë; sepse kaqë paravolija, sa dhe kujtimi i Atërvet, po atë çeshtje theksojnë. Nevojën e fjalës së Perëndisë. Edhe Zoti në paravolin e sotshme prezantohet si bujk dhe mbjellës, i cili "dolli për të mbjellur farën e Tij" dhe mbjell në të djathtë e në të majtë në arën e shpirtëvet njerëzore Fjalën e Perëndisë. Por ç' ishin dhe Atërit e Shenjtë të Kishës s' onë? Ishin lëçitës dhe mbjellës, të cilët duke imituar Kirshtin dhe Apostojt, si pasardhës të tyre të vërtetë, mbuallën dhe ata me radhë dhe predikuanë fjalën e Perëndisë. Por pse kaqë me shumicë mbuallën? Sepse ishte nevojë e madhe dhe e ngutëshme. Ishte nevojë të mbillesh dhe të mbillet në gjithë brezat e njerzvet fjala e Perëndisë. Dhe përse ësht e nevojëshme fjala e Perëndisë do të bëhet sot fjalë.

I

Me të vërtetë është e nevojëshme për njerin fjala e Zotit, sepse:

1. - Është dritë e shpirtit, dritë hyjnore dhe qiellore.

Është e mundur të rrojë, të punojë dhe të përparojë njeriu pa dritë? Është e pamundëshme? Prandaj edhe kur mungon drita e djellit e natyrëshme, njeriu vë në veprim dritën mjeshtërore të shpikjevet. Kështu edhe shpirti është i pamundur të rrojë, kur mungon drita e fjalës së Zotit. Po, kur mungon fjala e Zotit dhe lëçitja e Ungjillit, ahere mbretëron errësisë dhe pabesim dhe djalli triumfon. Shikoni ç' bëhet sot? Kaqë dituri dhe përparim, por aqë edhe ligësirë e mëkatë. Nuk njohin njerëzit Krijuësin e tyre hyjnor, as misionin e tyre të lartë, as qëllimin e jetës së tyre të shenjtë. Përse? Sepse nuk dinë fjalën e Perëndisë dhe ligjin e Tij. Por ligji i Tij është dritë, sikundër thoshte profiti "ligji i yt është lihnar në këmbët e mia dhe dritë në rrugët e mia". Është dritë dhe ndriçon prapa dhe na tregon Krijuesin hyjnor. Ndriçon përpara dhe na çfaq misionin t' onë të lartë. Ndriçon poshtë dhe na zbulon kotësirën e gjëravet të dheshme. Ndriçon lartë dhe na dëften jetën e pavdekëshme të qiellit. Ndriçon në të majtë që të shikojmë mëkatën dhe armikun e padukshëm. Ndriçon në të djathtë dhe na tregon Krishtin, kryetarin e luftës s' onë, i cili bashklufton me neve, që të mos humbasim në shtrëngimet, të mos frikësohemi në ngasjet, të mos hedhim armët armikut, por të luftojmë trimërisht, të mohojmë të përkohëshmet, të fitojmë të përjetëshmet. Të gjitha këto vetëm fjala e Zotit i çfaq. Kush pra, që kërkon të vërtetën dhe dëshiron shpëtimin, s' ka nevojë për fjalën e Zotit? Por fjala e Zotit s' është vetëm dritë, por është dhe:

2. - Fuqi dhe jetë shpirtërore.

Prandaj dhe barazohet me farën. Ç' është fara? Është një kokër e vogël dhe pa rëndësi, por mban mbrenda jetën e fuqin. Shikoni-e qysh bin dhe rritet dhe bëhet kalli ose pemë e lartë. Edhe fjala e Zotit këto përfundime ka: mbillet në shpirtet e njerëzvet. Por mjerisht nuk janë gjith shpirtet të pastëri janë disa plotë me gurë të pasionëvet, tjerë mbytyr nga drizat e kujdesjevet të jetës; ka dhe shpirte të vdekur nga goditjet vdekjeprurëse të mëkatës. Por fjala e Zotit është e fuqishme dhe bën çudira; pijaneci bëhet hesull dhe i urtë, i ndyri bëhet i pastër, zemëraku bëhet i butë dhe lakmuësi bëhet i mëshirshëm. Sa shëmbulla të përditëshme kemi, që vërtetojnë këto. Po kush i bëri këto çudira dhe u dha jetën e pendimit. Fjala e Zotit që është e shenjtë dhe fuqishme. Dhe sa njerës ndodhen në pasione dhe ligësira, për të cilët është e nevojëshme fjala e Zotit, që t' i ndriçojë, t' i rilindinj dhe t' i lartësojë nga dheu në qiell.

II

Por që të prodhojë toka nuk mjafton vetëm të mbillet fara, por duhet dhe toka të pranojë farën. Kështu dhe në fjalën e Zotit, që të shikonjë shpirti dobi dhe të gjejë shpëtim, është nevojë të ketë:

1. - Dijen (gnosin e fjalës e Zotit).

Që t' a dimë fjalën e Zotit duhet t' a studijojmë dhe t' a ndëgjojmë. T' a studjojmë, së është shkruar në shkrimin e Shenjtë dhe është zhvilluar në libra dhe rivista fetare. T' a ndëgjojmë në predikimet dhe në udhëzimet e atërvet shpirtënorë dhe në këshillat e njerëzvet pijetozë. Në qoftë se kërkojmë të vërtetën dhe dëshirojmë dritën e shpirtit t' onë, mos të largohemi nga kisha dhe nga predikimet dhe të interesohemi për Ungjillin e Shenjtë. Studim dhe ndëgjim me vërejtje dhe regullisht do të sjell dijen e fjalës së Zotit. Por duhet edhe:

2. - Zbatim dhe përmbushje të porosivet të Zotit.

Sepse mjerë në mbetet dija theori osa fjalë e thjeshtë. Ahere në errësirë do mbeten shpirtet t' ona. Plotësimi do të sjellë edukimin dhe shpëtimin e shpirtit. Prandaj Zoti tha "të lumtur ata që ndëgjojnë fjalën e Perëndisë" edhe "ruajnë atë". Ndofta zbatimi është i lodhshëm, por duhet përpjekje dhe durim.

* * *

Vllezër. Le të mendojmë çdo të ishim sot, në se Zoti nuk na dhuronte fjalën dhe porosit e Tij. Do të ishim të verbër dhe të vdekur brenda në varret e mëkatës. Na bëri i Tërëmiri një mirësi të madhe. Mos të gjejmë gjithnjë shkaqe të qëndrojmë në errësirën, që sjellë mos dija e ligjit të Zotit. Interesi i ynë është të banojë pasurisht fjala e Perëndisë në shpirtet t' ona, që t' a kemi dritë dhe udhëheqës për të vërtetën dhe fuqi në luftën kundër mëkatës dhe ngushullim në shtrëngimet e jetës dhe të na sjellë pas vdekjes në jetën e lumtur të qiellit. Amin.


E DJELË (22) PAS LLUKAJT V

Shpiegim i Ungjillit (Lluk. 16. 19-31)

"Tha Zoti. Një njeri ishte i pasur dhe vishesh me porfir dhe rrobe të kuqe duke dëfryer me shkëlqim. Ishte dhe një i vobektë, që quhesh Llazar, i cili ishte vënë afër derës me plagë dhe dëshironte të ginjesh nga thërrimet, që binin tryeza e të pasurit. Por dhe qent vinin dhe lëpnin plagët e tij".

I pasuri mvishesh me rrobe të çmueshme dhe dëfrente me ngrënje dhe çdo lloj kënaqësirash.

Llazari ishte shtritur afër derës së shtëpis të të pasurit. Ishte mbushur trupi i tij me plagë dhe i urishëm kaq, sa dëshironte të gjinjesh me thërrimet, që binin nga tryeza e të pasurit. Nga kjo duket, se i pasuri nuk tregonte ndonjë mëshirë për Llazarin. Qënt vinin dhe lëpnin trupin e Llazarin. Nga kjo tregohet, se Llazari ishte i çveshur, që dukeshin plagët e tij dhe se ishte i pafuqishëm, që nuk largonte dot qent.

"Vdiq i vobekti dhe engjejt shpunë shpirtin e tij në gji të Abraamit. Vdiq dhe i pasuri dhe u varros. Në ferr i pasuri ngriti syt e tij, duke qenë në mundime, dhe pa që lark Abraamin dhe Llazarin në gjit, afër e tij, dhe thiri: O at Abraam, mëshiro-më dhe dërgo Llazarin, që të ngjyejë majën e gjishtit të tij me ujë dhe të freshkojë gjuhën t' ime, sepse po vuajnë në këtë flagë. Abraami i tha: Bir, kujto, se ti gëzove te mirat në jetën t' ënde dhe Llazari të ligat; nashti këtu ai ngushëllohet, dhe ti vuan".

Shpirti i Llazarit vajti në parajsë në gjit' e Abraamit, sepse e shkoi jetën e tij me durim dhe me shpresë te Perëndia.

Shpirti i të pasurit vajti në Ferr, sepse nuk tregoi mëshirë për Llazarin dhe përgjithësisht për të vobektët.

I pasuri kërkon nga Abraami t' i dërgojë Llazarin, i cili, mbasi të lyejë gjishtin e tij me ujë, t' i freskojë gjuhën e tij. Me këto fjalë Zoti tregon, sa të paduruarshme janë vuajtjet në Ferr. O bir, kujto të mirat, që gëzove në jetën e dheshme, pa pasur dhimsuri për të vobektët. Llazari hoqi vuajtjet me durim.

"Me gjith këtë midis nesh dhe jush është një gropë e madhe, që kështu nuk munden të shkojnë që këndej te ju, as ata që andej të vijnë te nè. I pasuri tha: Të lutem, o at, që të dërgosh Llazarin në shtëpin e t' im ati, që kam pesë vllezër, që t' i këshillojë, që mos të vijnë dhe ata në këtë vend të mundimit. Adraami i thotë. Kanë Moisin dhe profitët, le të ndëgjojnë ata. I pasuri tha. Jo, at Abraam, në qoftë se ndonjë nga të vdekurit vete te ata, do të pendohen. Abraami i thotë. Në qoftë se nuk ndëgjojnë Moisin dhe profitët, ahere edhe në qoftë se ngjallet ndonjë nga të vdekurit, nuk do të binden".

Një gropë e madhe është midis Ferrit dhe mbretëris së qiejvet d.m.th. mëkatarët dhe të drejtët janë të ndarë midis tyre.

MËSIME. - Edhe lumtërit e kësaj jete dhe kënaqësit, sikundër dhe fatkeqësit dhe mjerimet janë të përkohëshme. I pasuri i paravolis kishte të gjitha të mirat e dheut, por për nji kohë të shkurtër, sa kohë të rronte mbi dhe, sepse kur vjen vdekja, të gjitha i lëmë këtu. Edhe i vobekti Llazar kishte mjerime, por vetëm sa kohë rrojti në këtë botë. Prandaj s' është e llogjikëshme as të pasurit t' i quajmë të lumtur për një të mirë kaq të përkohëshme, as të vobektit dhe të mjerët t' i konsiderojmë fatkeq për mjerimin e përkohëshëm në këtë jetë.

Të pasurvet u jep Perëndia pasjen për të bërë vepra dashurije te i afërmi i tij, që kështu të vlerësohet për të mirat në jetën e ardhme. Të vobektëvet Perëndia u lejon vobegsin, që me anën e durimit të fitojnë lumtërin e përjetëshme.

Qysh e përdori pasjen i pasuri i paravolis? Me padrejtësi dhe marrëzi. Njeri i huaj ndaj Perëndia harroi se pasja është dhuratë e Perëndisë dhe kështu e përdori vetëm për mirëshkuarjen e vet dhe për Llazarin dhe për të vobektët aspak nuk u interesua. Llazari besatar te Perëndia i shkoj mjerimet e tij me shpresë dhe me durim. I pasuri u tregua ikonom i lik dhe përdoruës i padrejtë. I vobekti u tregua athlet trim dhe durimtar.

Sa ndryshohen konditat në jetën qiellore! I pasuri në botë nashti vuan dhe mundohet në Ferr, kurse Llazari, i mjerë në botë, nashti gëzon në lavdi. Lumtërija e të parit është për pak kohë në botë, por mundimi në qiell është i përjetëshëm. Mjerimi i të dytit është i përkohëshëm mbi dhe, por gëzimi dhe lumtërija është në qiell i pambaruar dhe përgjithmonë. Prandaj me të vërtetë i pasur dhe i lumtur është ay, që do të jetë i pasur në jetën e ardhme.

Në mbretërin e qiellit s' ka ndreqje, as pendim as ndonjë ndryshim. Gropë e madhe i ndan ata, që janë në Ferr, nga ata që janë në mbretërin e qiejvet; d.m.th. nuk ndryshohet as dënimi i mëkatarvet të papenduar, as lumtërija dhe gëzimi i të drejtëvet. Atje të gjitha janë të qëndruara dhe të pandryshuara dhe të përjetëshme, dhe jo si në këtë jetë, që të gjitha janë të përkohëshme dhe të ndryshuëshme.


E DJELË (22) PAS LLUKAJT V

Ungjilli Lluk. 16. 19-31

FJALIM: Për të pasur në kujtim vdekjen.

"Vdiq dhe i pasuri dhe u varros".

Kjo ishte e sigurtë, sado që bëri çdo gjë për të harruar vdekjen. Rrojti si materialisht dhe adhuruës i trupit në gjith jetën e tij i pasuri i Ungjillit të sotshëm. I shpenzoi të hollat e tij në ushqime dhe në llukse dhe nuk bëri asnjë të mirë për shpirtin e tij të mjerë. Këto i bëri, se dëbonte me insistim nga mendja e tij vdekjen. Ideja e vdekjes e ngiste, i mërziste mendimet e tij dhe i përmbyste planet e tij mëkatare. I binte ndër mënd gjykatoren e frikëshme të Perëndisë, ku do të jepte dhe ay llogari të vepravet të tij. Të gjitha këto ishin të pakënaqëshme për të pasurin. Vdekjen nuk donte t' a mendonte, që të vinte pendimi në shpirtin e tij; edhe kjo e shpuri në humbje. Të kundërtën bëri i vobekti dhe i shumëvuajturi Llazar. Ay rrojti me iden e vdekjes. Në se nuk keqfoli për fqinjën e tij të pasur, në se nuk pati smirë (haset) për të mirat e tij, në se nuk u zemërua kundër Perëndisë, por tregoi në mjerimet e tij durim të çuditshëm, kjo i detyrohet, se kishte ndër mënd vdekjen; edhe kjo e shpëtoi. Kjo e shpuri me përcjellje engjellore në gjirin e Abraamit.

Është e mirë dhe e dobishme të mendojë i kirshteri shumë herë vdekjen. Se ç' dobira sjell kujtimi i vdekjes?

1. - Na shpëton nga kotësija e botës.

Ç' bën kotësija? Na gënjen me fuqin e saj, na tërheq si rrobër me premtimet e saj. Ç' farë kotësi. Pasunira dhe lavdi, lluksi dhe tregimet në mveshje, dëfrimet dhe dëshirat e mishit. Ç' janë të gjitha këto? Janë tym dhe hije dhe ëndërra, që zhduken dhe gënjejnë. Nuk janë zjarr dhe thikë për shpirtin t' onë të pavdekshëm? Me gjith këtë sa bëjnë njerzit që t' i fitojnë? Vjedhin dhe bëjnë padrejtësira; gënjejnë dhe shpenzojnë kohën e tyre të vlerëshme të jetës së tyre; shkelin ndërgjegjen dhe shesin nderjen e tyre. Ç' them? Edhe shpirtin e tyre shesin të Satanaj për të përmbushur ëndërrat dhe dëshirat e tyre të kota. Ç' barrë do të shërojë të ligën? C' fré do të na qëndrojë nga kjo e tatpjetme e dëmëshme: Vetëm kujtimi i vdekjes. Le të kujtojmë vdekjen, kur ngasja pasjes na pushton zemrën, kur manija e lluksit rrobëron vullnetin t' onë, kur flaka e dëshirës trupore ndizet dhe djeg trupin t' one. Ahere le të mendojmë vdekjen, që shpejti a vonë do të na vinjë. Vdekjen që shpërndan pasunit, fishk bukurin, shuan madhështirat dhe dorëzon trupin në prishje dhe në tretje. Dhe kështu shpirti i liruar nga lidhjet e kota, do të mbetet besnik te Perëndia dhe në dëshirën e Tij. Ja dobija e parë nga kujtimi i vdekjes.

2. - Na ngushëllon nga shtrëngimet e jetës.

Vobeksi dhe mjerime, uri dhe mungesë, ndjekje dhe kallzime, sëmundje dhe vdekje, janë shokët e pandarë të jetës s' onë. Sa dhimbje, sa agoni, sa dëshpërim shkaktojnë. Ndryshojnë jetën t' onë të dheshme në Ferr të vërtetë, ku nuk ndriçon dielli, nuk nënëqesh shpresa dhe gëzimi, por vetëm dhëmbja e ashpër mbretëron. Kush do të na inspirojë kuxim dhe do të na japë durim dhe shpresën e çlirimit. Besa në ndihmën dhe në mëshirën e Perëndisë, por dhe kujtimi i vdekjes. Vdekja jëp fund jo vetëm jetës, por dhe vuajtëvet të jetës. Është çliruesi i dhimbjes; është dera dhe fillimi i jetës tjetër, ku s' ka dhimbje, as lotë, as fshërtim, por gëzim dhe prehje. Kur shtrëngime dhe ngasje të përqakojnë, kujto vdekjen, d.m.th. do të vijë dita, kur do të pushojnë përgjithënjë vuajtjet e tua edhe do të gjesh gëzimin e përjetshëm në vënd të vuajtujevet. Edhe ahere nuk do të shtrëngohesh, as nuk do të zemërohesh kundër Perëndisë dhe njerëzvet, se ke vuajtur padrejtësisht, po të bësh durim, si Llazari i sotshëm dhe do të gjesh lehtësim në vuajtjet e tua.

3. - Na çliron nga urrejtja dhe hakmarrja.

Urrejtja dëndur na ha dhe na djeg shpirtin t' onë. Po të na shajnë, po të na përbuzin dhe na përdorin keq drejtësisht ose padrejtësisht, armiqësija e ngrehë kokën duke kërkuar hakmarje. Armatosim gjuhën për të përfolur, për të bërë padrejtësi, që të shpërblejmë me atë mënyrë armikun. Po pse vetëm armikun? Edhe vllan dhe mikun. Mjafton të kujtojmë vdekjen dhe ato pas vdekjes. Me të shpejtë dije zemërata dhe zjarri shuhet. Pse t' a hidhërojmë; le të mendohemi, kur nesër do të vdesë dhe do të vete përpara Perëndisë. Dhe i krishteri e ndjen, sado e madhe që të jetë e liga, që na është bërë. O! sa të mira bije kujtimi i vdekjes dhe është i nevojëshëm dhe shpëtimtar për shpirtin t' onë të sëmurë dhe mëkatar.

Të dashur vllezër. Njerëzit e botës mëkatare nuk duanë të kujtojnë vdekjen. Largohen nga varrimet dhe nga qimitiri dhe bëjnë çdo gjë, që të largojnë nga mendja e tyre vdekjen. Le mos të pasojmë mendimet e tyre, sepse janë shërbëtorë të pasionëvet dhe të kotësiravet të kësaj bote. Le t' a kujtojmë, që të gjejmë shërim në shtrëngimet t' ona. Le t' a kujtojmë, që mos të mekatojmë dhe të pregatitemi për udhëtimin në qiell. Është i lumtur ay njeri që do të gjendet i pregatitur në orën e vdekjes. Për atë gjiri i Abraamit dhe mbretërija e Perëndisë do të jetë trashëgim. Amin.


E DJELË (23) PAS LLUKAJT VI

Shpjegim i Ungjillit (Lluk. 8. 26-39)

"Në atë kohë kur erdhi Jisuj ndë vend të Gadharinevet, i dolli përpara një njeri prej qytetit, që kishte djaj prej shumë vjetve, edhe rrobë nuk vishte edhe ndë shtëpi, nuk rrinte, por ndëpër varret. Edhe kur pa Jisun, bërtiti e i ra ndër këmbë, e me zë të math tha. Ç' ke me mua, Jisu, i biri i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo. Sepse ay urdhëroi frymën e ndyrë të dalë nga njeriu; sepse prej shemë vjetve e kishte rrëmbyer, edhe lidhej me vargje edhe ruhej me hekura këmbësh; por ay i këputte të lidhurat edhe sillej prej djallit ndëpër shkretëtirat".

Ky ishte pushtuar prej frymash të liga, të cilat e zotnonin dhe vepronin me anën e atij. Nga ky shkak arratisesh i çveshur jashtë qytetit duke pasur për banim varret.

Ç' lidhje është midis nesh dhe ç' erdhe të bësh këtu? Këto thonë me frikë djajt, që ishin mbrenda njeriut, sepse kuptonin gjithpushtetin e Zotit. Të lutem mos mundo mua d.m.th. mos më dërgo në mundim të përjetshëm.

Fryma të ndyra quhen, sepse mungon prej tyre çdo virtut dhe ndodhen lark Perëndisë dhe në mëkatë, e cila i bëri nga fryma të ndriçme, në fryma të errëta.

Prej shumë vjetësh e kishin pushtuar njerin frymat e liga dhe njeriu kishte ardhur në këtë gjendje marrëzije, sa këputte zinxhirat dhe shkonte në shkretëtirë.

Edhe Jisuj e pyeti, duke thënë. Ç' ta thonë emrin? Edhe ay i tha Legjeon, sepse kishin hyrë tek ay shumë djaj. Edhe i luteshin të mos i urdhëronte të shkonin në abysë. Edhe atje ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur ndë mal. Edhe i luteshin t' i lerë të hynin ndër ata. Edhe ay i la. Edhe djajt si duallën prej njeriut, hynë në derrat. Edhe tufa e derravet u sul prej shkëmbit në liqen edhe u mbyt".

E pyeti Zoti për emrin, që t' a shpallij, se jo një, por shumë djaj e kishin pushtuar të djallosurin. Legjeon quanin Romakët një trup ushtarësh prej 7 mij.

Me qënë se Zoti nuk i *joi të rinë tek njeriu, djajt kërkuan leje që të hyjnë në derrat. Sepse frymat e liga kënaqen gjithnjë të shkaktojnë dëme. Dhe derrat u mbytën, që të dënohen zotërit e derravet, të cilët ushqenin derra kundër urdhëravet të ligjit të Moisiut.

"Edhe ruajtësit kur panë, se ç' u bë, ikën edhe vajtën e dhanë zë ndë qytet e nëpër arat. Edhe duallën të shifnin, se ç' u bë. Edhe erdhën te Jisuj edhe e gjetën njerin, prej të cilit kishin dalë djajt, duke ndënjur pranë këmbëvet të Jisujt, të veshur e të urtësuar. Edhe u frikësuan. U treguan edhe ata që e panë, qysh shpëtoi i djallosuri. Edhe e gjithë shumica e vëndevet rrotull Gadharinevet i luteshin të ikinj nga ata, sepse i kishte zënë frikë e madhe. Edhe Jisuj hyri në lundër dhe u kthye. Edhe njeriu, prej të cilit kishin dalë djajt, i lutesh të jetë bashkë me atë; Po Jisuj e lëshoi duke thënë, ktheu në shtëpi t' ënde edhe rrëfe gjithë sa bëri Perëndia mbë ty. Edhe ay shkoi duke lëçitur nëpër gjithë qytetin sa bëri Jisuj mb' atë".

I djallosuri mbasi u çlirua nga frymat e lia, u mvesh dhe rinte pranë këmbëvet të Jisujt plotë me mirnjohtësi.

MËSIME. - Në një shkretëtirë buzë deti të qarkut të gadharinejvet del Jisuj me nxënësit e Tij. Vjenë të çlirojë një të djallosur të mjerë. Zoti nuk lë pa mbrojtje qoftë dhe një shpirt të vetëm. Edhe atyre që aratisen lark, u-zgjat dorën e tij dhe vjen ndihmës i pa thëritur.

Djajt pohojnë me gojën e të djallosurit, se Krishti është i Biri i Perëndisë të Lartit. Po nga ky pohim nuk fitojnë sympathinë e Jisujt. Duhet pra të vërtetën mos t' a mëkojmë nga burime të dyshimta, por vetëm nga fjala e Perëndisë dhe nga puntorët e Kishës.

Frymat e liga mbasi tyranizuan njerin, tash humbën derrat sepse kënaqen gjithmonë të bëjnë të ligën. Kështu dhe njerzit e liq, kurse bijt e Perëndisë bëjnë të mirën.

Banorët e qarkut të gadharinejvet i luten Krishtit, që të largohet nga vëndi i tyre, sepse të huaj prej Perëndisë kanë frikë nga ndodhja e Zotit. E ndjejnë Atë si gjykatës të drejtë për t' i dënuar më pushtetin e Tij. Të tilla ndjenja duken atje, ku mbretëron mëkata. Po të plotësojmë porosit e Tij, ahere Krishti është miku i ynë.

Një mirësi gëzoi nga Zoti i djallosuri dhe e lëçiti të gjithve emrin dhe veprat e mirëbërësit.

U-tregua mirnjohtës.


E DJELË (23) PAS LLUKAJT VI

FJALIM: Për dënimin e përkohshëm e të pa drejtëve.

"Dhe u sul tufa e derravet nga mali në det".

Një ankim i zakonshëm i njërsvet pietozë është, se të pa drejtët mbeten të pa dënuar nga Perëndia dhe pasunohen me mjete të pa ligjëshme. Por kjo s' është e vërtetë. Përveç dënimit të përjetshëm, shumë herë zemërata e Perëndisë vjen e tmershme mbi ata, që bëjnë padrejtësira, dhe në këtë jetë. Dëshmi Gadhari i Ungjillit të sotshëm. Gadharinejt ishin të paligjëshëm. Sado që ligji i Moisiut i ndalonte të hanin mish derri, gadharinejt ruanin derra, që t' u a shisnin fqinjëvet idhololatrë për të fituar të holla. Ç' bënin pra? Bënin një tregëti të paligjëshme, që e ndalonte ligji i Perëndisë. Ja, në një minutë i humbasin të gjitha. Sepse frymat e liga, mbasi duallën nga njeriu i djallëzuar, hyjnë me lejën e Zotit në tufën e derravet; dhe "u sul tufa e derravet nga mali ne liqen dhe u mbyt". Afër dy mijë derra, d.m.th. një prishje e madhe dhe e papritur ishte një dënim i drejtë i Perëndisë për paligjësin e tyre. Kjo dishmon, se Perëndia dhe në këtë botë të përkohëshme dënon padrejtësin. Për këtë bëhet fjala sot.

I

Gjith urtësia e Perëndisë ka shumë mënyra dënimi. Të zakonëshme janë:

1. - Prishjet lëndore dhe ekonomike.

Mos janë të ralla këto ngjarje? Janë të dëndura dhe të përditëshme dhe i vërejmë me syt t' ona. Njerës nga pallate të mermerta gjenden të mjerë në udhë. Njerës të pasur bëhen në gjendje, që të kërkojnë ndihmë. Të këtilla prishje mund të ngjajnë dhe nër njerzit e drejtë, që i dërgon rrallë Perëndia për t' i provuar. Por dëndur u ngjajnë të padrejtëvet. Mund të qëndrojë një ndërtesë pa pasur themele të shëndosa? Mundet një pasuni të qëndrojë, që e dha jo Perëndia, por djalli? Pasuni që e ka fituar jo me djersë, por me fitime të dyshimta? Në një minutë rrëzohen, kurse i mblodhi me vjetë: rrëzohen, se e dënon e zemërata e Perëndisë. Dhe vërtetohet ajo që ka thënë profiti, «pash të padrejtën të lartësohet si lisat e Libanit; u ktheva prapë dhe ja nuk ishte dhe e kërkova dhe nuk u gjënd vendi i tij». Po. As vëndi, ku rinte, nuk gjendet shumë herë, sepse prishja grumbullohet e përgjithëshme. Por në mos ngjaftë ngandonjëherë kjo, ngjan një gjë tjetër.

2. - Qortimi i ndërgjegjes dhe thirrja e opinionit publik.

Ç' bën ndërgjegja? Thërret në thellësirën e shpirtit të fajtorit, «je kusar dhe ke bërë padrejtësira dhe abuzime». E frikëson, sikundër ligji frikëson fajtorin; e shpon, si thikë me dy presje. Edhe opinioni i popullit thërret kundër tij «je grabitës, vjedhës». E përbuzë dhe e shikon me sy të keq, dhe kërkon të hakmarrë. Qetësohet ndonjëherë i këtillë njeri? Kurrë, Ka për të ngrënë dhe për të pirë dhe për këtë e pandehin të lumtur. Por ç' lumtëri është kjo, kur nuk shehë qetësi, kur ka frikë, se mos zbulohet dhe dënohet, kur qortimi i pafjetur i ndërgjegjes e tyranizon? Jo, kjo nuk është lumtëri. Është zemërata e Perëndisë, që e dënon përkohësisht dhe e paralajmëron me këtë dënim, që e pret një dënim tjetër i frikshëm dhe i përjetshëm, në qoftë se nuk pendohet.

II

Le të vemë re këtë, se Perëndia dënon drejtësisht dhe jo për të hakmarrë dhe për prishje. Në qoftë se lejon prishje lëndore dhe vë ndërgjegjen t' a qërtojë, këtë e bën me qëllim filantropik dhe shpëtimtar:

1. - Për të urtësuar.

Me gjith se vuajtjet janë pemët e mëkatavet t' ona dhe dënim i drejtë, por i Tërëmiri e kthen të ligën në të mirë dhe kërkon të nxjerë të ëmbël nga e hidhura. Është pendimi dhe shpëtimi i shpirtit t' onë, sepse pësimet na bëhen mësime. Sepse kur ndjejmë dhimbje dhe rrezikohemi dhe poshtërsohemi për paligjësit t' ona, që bëjmë, ahere vijmë nër vehte dhe kuptojmë, se mëkata është një e ligë e dëmëshme. Kur prodigu erdhi në vehte dhe u kthye te i ati? Ahere kur e pa vehten e tij në një gjendje të vajtuëshme. Sa e sa njerës detyrojnë shpëtimin e tyre nga një sëmundje dhe strëngimi! Ato na zgjojnë dhe na kthenjë në udhën e shpëtimit. Mos të zemërohemi dhe të ankohemi, se drejtësisht vuajmë, për të çfajosur. Pendim kërkon Perëndia dhe pendim t' i tregojnë, sepse na dënon për ndreqjen t' onë.

2. - Për të dhënë shëmbullë të tjervet.

Sikundër shumë tërhiqen në mëkatë nga shëmbulla e ligë e të tjervet, kështu dhe shumë vijnë në vehte dhe pendohen, kur shikojnë të tjerët të dënohen. Do të pyes, është e drejtë të dënohem unë, që të ndreqen të tjerët? Me qënë se jam një njeri mëkatar, është shumë e drejtë të dënohem, sepse mëkata do të dënohet ose këtu përkohësisht, ose në jetën tjetër që është pambarim. Por duhet të jemi të kënaqur të dënohemi këtu për pendim të shpirtit t' onë, se sa në jetën tjetër, ku s' ka dobi pendimi dhe dënimi është i përjetshëm.

* * *

Por sigurisht mâ e mira është të largohemi nga mëkata. Le të na premtojë fitime dhe mirjetesë dhe prehje. Gënjeshtër dhe vjedhje, padrejtësi dhe çdo mënyrë tjetër pasunimi të paligjëshëm, është zjarr dhe mallkim, katarë Perëndije. Është vullkan, që një ditë do të marrë zjarr dhe do të na dërmojë. Në qoftë se nuk pësuam né, pësimet e të tjervet të na bëhen mësime shpëtimtare.


E DJELË (24) PAS LLUKAJT VII

Shpiegimi i Ungjillit Lluk. 8. 41-56

"Në atë kohë erdhi te Jisuj, një njeri, që quhesh Jair; dhe ay ishte kryetari i sinagogjis. Ky duke i rënë nër këmbët e Jisujt, i lutesh që të hyjë në shtëpin e tij, sepse çupa e tij e vetëmlindur, afër dymbëdhjetë vjeçë, po i vdiste. Kur po shkonte Jisuj, gjindja po e shtrëngonte. Edhe një grua, që kishte rrjedhje gjaku qysh prej dymbëdhjetë vjetësh, e cila kishte shpenzuar gjithë pasunin e saj nër mjekësit dhe nuk u shërua prej asnjerit, erdhi prapa dhe preku cepin e rrobes dhe përnjëheresh qëndroi rrjedhja e gjakut. Jisuj tha, cili më preku? Mbasi të gjith mohonin, Pjetri i tha dhe ata që ishin bashkë me atë. Mësonjës, gjindja të përqarkon dhe të shtrëngon dhe ti thua, kush më preku? Jisuj tha, më preku njeri, se unë kuptova që dolli fuqi prej meje. Duke parë gruaja, që nuk mundi të fshihesh, erdhi duke u dridhur dhe i ra nër këmbët dhe tregoi përpara gjith popullit, për ç' shkak kishte prekur rroben dhe qysh u shërua përnjëheresh. Jisuj i tha asaj. Kij kurajo, o bijë, besa jote të shpëtoi, shko në paqe".

Kryetari i sinagogjis të atij qyteti. Jisuj e pranoi lutjen e tij, duke parë besën e nxehtë.

Kur po shkonte Zoti në shtëpin e kryesinagogut, gjindje e madhe e përqakoi dhe e shtrëngonte.

Një grua vuante nga gjak rjedhja qysh prej dymbëdhjetë vjetësh. Kjo kishte shpenzuar gjith pasunin e saj nër mjekësit, por s' kishte gjetur shërim. Kjo prapa gjindjes preku rroben e Jisujt, me besë të nxehtë, që kështu do të shërohesh. Dhe u shërua.

Kush më preku pyet Zoti, jo se nuk e dinte, por që të bëjë të duket sheshazi besa e gruas për të mësuar gjindja.

Mësonjës, gjindja të ka në mes dhe të shtrëngon, dhe pyet kush më preku? Jisuj thote, më preku njeri, se ndjeva fuqi, që dolli prej meje.

Gruaja fshihesh dhe heshte, se kishte turp të tregonte sëmundjen e saj. Mbasi pa që s' mund të fshihesh, pohoi shërimin e saj.

Nga besa e jote more shërimin t' ënd.

"Kur akoma Jisuj po fliste, vjen një nga kryesinagogu kryetari i mbledhjes dhe i thotë. Çupa jote vdiq, mos mundo mësonjësin. Dhe Jisuj kur ndëgjoi, i tha, mos ki frikë, vetëm beso dhe do të shpëtojë. Jisuj mbasi hyri në shtëpi, nuk la asnjë të hyjë, veç Pjetrin, Jakovin dhe Joanin dhe atin e vajzës dhe nënen. Po qanin të gjith dhe po vajtonin. Jisuj u tha, mos qani, se vajza nuk vdiq, por po fle. Dhe e përqeshnin të gjithë, mbasi e dinin që vdiq. Jisuj mbasi i nxori të gjithë jashtë dhe duke e mbajtur atë prej dore, thërriti: Vajzë, ngreu. Dhe u kthye fryma e saj dhe u ngjallë përnjëheresh. Dhe urdhëroi t' i japin të hajë dhe u çuditën prindërit e saj. Jisuj i porositi, që të mos thonë asnjerit ngjarjen".

Mos mundo Mësonjësin, se vdiq vajza. Ay njeri i thotë kryesinagogut këto fjalë, se besonte që Krishti mund t' a shëronte, por jo dhe që t' a ngjallte.

Nuk vdiq, por po fle. Vdekjen Zoti e quan gjum, sepse vdekja është një ndarje e përkohëshme të shpirtit nga trupi, që prapë do të ngjallet. Nga tjetër anë, sepse në fuqin hyjnore të Shpëtimtarit është kaq e lehtë t' a bjerë në jetë prapë të vdekurin, sa lehtë është për ne të zgjojmë një njeri në gjum.

MËSIME. - Pranë Jisujt mblidheshin jo vetëm njerës nga populli, por edhe njerës nga klasat e larta shoqërore, sikurse kryesinagogu Jairo. Kush nuk ka nevojë për të tillë Shpëtimtar njeridashës dhe gjith pushtetshim? Ay është Shpëtimtar i të gjithve, ndihmësi dhe mbrojtësi, ngushullimtari dhe udhëheqësi. Të gjithë kemi nevojën e Tij. Prandaj të gjithë duhet të përikim të Ay, me besë të vërtetë për të marrë përdëllimin e Tij dhe ndihmën e Tij.

Jisuj është mjekësi i shpirtëvet dhe i trupëvet. Jo vetëm çliron nga mëkata, por shëron dhe sëmundjet. Ngrehë shpirtet nga mekata, por edhe trupa të sëmura shëron. Dhe gruaja që vuante nga rrjedhje e gjakut, me qënë se e kuptoi këtë vjen pranë Tij midis gjingjes, plotë me besë dhe shpresë, dhe prek cepin e rrobes së Shpëtimtarit. Sado që shumë nga gjindja shtrëngonin Zotin, vetëm ajo grua mori prej Atij të mirën, që kërkonte, shërimin e trupit.

Gruaja e shëruar pandeu, se mund të fshihesh nga vëre